Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake që, sipas saj, iu bënë në Beograd ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka kritikuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në ceremonitë për Mlladiqin, duke e cilësuar këtë si një akt të hapur të rehabilitimit politik të një personi të dënuar për krimet më të rënda të luftës.
Ajo ka theksuar se në ceremonitë e zhvilluara në Beograd morën pjesë ministra të qeverisë serbe, djali i presidentit, ambasadori i Rusisë, deputetë të partisë në pushtet dhe lideri i Republika Srpska, Milorad Dodik.
Postim i plotë:
Dje në Beograd pati krisma nderi mbi arkivolin e xhelatit të Srebrenicës, Mlladiqit. Kriminelit të luftës, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ai vdiq në qeli, sepse aty e kanë vendin kriminelët. Dhe Beogradi e priti me nderime shtetërore e ushtarake.
Ministri i Mbrojtjes shkoi. Ministri i Kulturës shkoi. Ministri i Investimeve Publike shkoi. Djali i Presidentit shkoi. Ambasadori i Rusisë shkoi. Deputetët e partisë në pushtet shkuan. Dodiku shkoi. Trupi i një krimineli u soll nga Haga në Beograd me avion shtetëror.
Dhe shkoi ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, i njëjti njeri që javë më parë premtoi publikisht "nderime të larta shtetërore dhe ushtarake" për një person që një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e dënoi për gjenocid.
Ministri i Drejtësisë. I Drejtësisë.
Po e them si Ministre e Drejtësisë, dhe po e them troç: ky njeri nuk duhet kurrë më të lejohet të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi.
Jo në Bruksel. Jo në Berlin. Jo në Strasburg. Askund! Sepse drejtësia nuk është kapitull negociues që hapet dhe mbyllet sipas interesit politik.
Bashkimi Evropian nuk duhet të vazhdojë të jetë i shurdhër dhe i verbër ndaj Serbisë. Problemi nuk është më se çfarë bën Beogradi, por sa gjatë Brukseli do të vazhdojë ta tolerojë atë. Serbia është mësuar prej vitesh me ledhatimin dhe përkëdheljen e BE-së, është mësuar prej vitesh se mund të kalojë çdo vijë të kuqe dhe prapë të trajtohet si partner.
Kjo tolerancë ndaj Serbisë ka bërë që Serbia sot të mohojë hapur gjenocidin dhe të nderojë kriminelin që kreu gjenocid.
Në Bruksel flasin për Kapitullin 23. Në Beograd shtinë krisma nderi mbi arkivolin e një krimineli të gjenocidit.
Në Bruksel flasin për sundimin e ligjit. Në Beograd shteti e kthen një të dënuar për gjenocid në figurë nderi.
Në Bruksel flasin për vlera evropiane. Në Beograd glorifikojnë ata që drejtësia ndërkombëtare i shpalli përgjegjës për disa nga krimet më të rënda të Evropës moderne.
Kjo nuk është rrugë drejt Evropës. Kjo është tallje me Evropën. Dhe më e rënda është se Serbia nuk po e bën këtë fshehurazi. Po e bën me ministrat e saj, me strukturat e saj shtetërore, me simbolikën e saj ushtarake dhe nën sytë e botës.
E dënoj këtë akt në termat më të ashpër politikë dhe moralë sepse nderimi shtetëror i Mlladiqit është fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt i hapur i rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale.
Këtë e dënojmë fuqishëm. E dënojmë pa ekuivok. Dhe nuk do ta normalizojmë kurrë. Ata që nuk e dënojnë gjenocidin sot, janë po ata që do të heshtnin para tij edhe nesër.
Jo për hir të politikës. Për hir të drejtësisë. Për hir të viktimave. Dhe për hir të së vërtetës.
Viktimat kurrë nuk duhet t’i harrojmë. Kurrë!