Përplasje, kundërshti dhe refuzim për presidentin - Si u konstituua Kuvendi i parë pas luftës

Aktuale

Përplasje, kundërshti dhe refuzim për presidentin - Si u konstituua Kuvendi i parë pas luftës

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 10:32
Kuvendi i Kosovës

Më 10 dhjetor 2001 ishte konstituuar Kuvendi i parë i Kosovës pas luftës. Institucioni doli nga zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit, të parat nën administrimin ndërkombëtar.

Seanca inauguruese u drejtua nga shefi i atëhershëm i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Hans Hækkerup.

Ai e cilësoi ngjarjen si fillimin e një vetëqeverisjeje përmbajtjesore në Kosovë. Hækkerup theksoi se, pas dekadash të sundimit totalitar, po hapej një kuvend i zgjedhur në mënyrë demokratike, raportonte REL, transmeton KosovaPress.

Në seancë morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha 14 subjekteve politike. Kuvendi përbëhej nga 120 deputetë, mes tyre edhe 22 përfaqësues të koalicionit serb “Povratak”.

Deputetët zgjodhën Nexhat Dacin kryetar të Kuvendit. Ai ishte drejtues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Daci, profesor i kimisë, kishte studiuar në universitetet e Beogradit dhe Zagrebit. Ai vinte nga Tërnoci i Bujanocit dhe konsiderohej bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Rugovës.

Seanca dyorëshe u shoqërua edhe me përplasje ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe administratorit ndërkombëtar që po e menaxhonte ngjarjen historike.

Hækkerup ia ndërpreu mikrofonin shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Fatmir Limaj pasi ky i fundit, në emër të partisë, pati një kërkesë.

“Kam kërkuar që një anëtar i mbijetuar i familjes Jashari të marrë pjesë në seancë”, kishte thënë Limaj, siaps REL.

Hækkerup i kërkoi atij të përqendrohej në pikën e rendit të ditës.

Mikrofoni iu ndërpre edhe deputetes së koalicionit serb “Povratak”, Rada Trajkoviq. Ajo ishte ankuar për vështirësitë që, sipas saj, kishin pasur deputetët serbë për të mbërritur në Prishtinë.

Trajkoviq deklaroi se deputetët serbë ishin të gatshëm të bashkëpunonin në Kuvend. Megjithatë, ajo theksoi se angazhimi i tyre do të synonte mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë dhe Jugosllavisë.

Përplasjet vazhduan edhe pasi Nexhat Daci mori drejtimin e seancës. Ai ia ndërpreu fjalën kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, pasi vlerësoi se kishte dalë jashtë rendit të ditës.

Thaçi më pas i udhëhoqi 26 deputetët e PDK-së në një largim të shkurtër nga salla. Partia pretendonte se seanca po drejtohej në mënyrë jodemokratike dhe se po kufizohej e drejta e fjalës.

Fatmir Limaj deklaroi pas seancës se deputetët e PDK-së ishin larguar për një konsultim pesëminutësh.

Pavarësisht përplasjeve, Nexhat Daci e cilësoi konstituimin si hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën.

Ai tha se vështirësitë fillestare ishin të pritshme. Sipas tij, seanca shënonte fillimin e bartjes graduale të pushtetit nga UNMIK-u te përfaqësuesit e Kosovës.

Në mbledhjen inauguruese nuk u arrit marrëveshje për presidentin, kryeministrin dhe përbërjen e qeverisë. Vazhdimi i seancës u caktua për 13 dhjetor.

Ibrahim Rugova konsiderohej kandidati kryesor për president. LDK-ja kishte fituar 47 nga 120 ulëset e Kuvendit, por për zgjedhjen e tij nevojiteshin së paku 61 vota.

Rugova kishte deklaruar se PDK-ja e Hashim Thaçit dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt e kishin refuzuar ofertën e tij për marrëveshje.

Sipas tij, partnerëve u ishin ofruar pesë ministri, dy poste të zëvendëskryeministrave dhe pozita e nënkryetarit të Kuvendit.

Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme parashihte së paku dy poste ministrore për komunitetet joshumicë. Njëri prej tyre duhej t’i takonte një përfaqësuesi serb.

Nëse qeveria do të kishte më shumë se 12 ministri, edhe një post tjetër duhej t’i ndahej një përfaqësuesi të komuniteteve.

Gazetarët nuk u lejuan ta ndiqnin seancën nga salla. Ata i përcollën zhvillimet përmes monitorëve televizivë nga një hapësirë tjetër.

Subjektet shqiptare kishin kërkuar vendosjen e flamurit shqiptar në sallë. Kërkesa nuk ishte pranuar për shkak të paralajmërimeve se deputetët serbë mund ta braktisnin mbledhjen. Në seancë u vendosën vetëm flamujt e Kombeve të Bashkuara.

Kështu nisi puna e legjislaturës së parë të Kuvendit pas luftës: me zgjedhjen e Nexhat Dacit në krye, mosmarrëveshje ndërmjet subjekteve dhe çështje të pazgjidhura rreth institucioneve të reja.

Teksti është përshtatur nga raportimi i Radio Evropa e Lirë, i publikuar më 11 dhjetor 2001.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat