Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nderuar viktimat dhe pjesëtarët e ekipeve të shpëtimit që sakrifikuan jetën për të shpëtuar të tjerët.
Në një postim në Facebook, Kurti ka kujtuar edhe vizitën që kishte zhvilluar vitin e kaluar, së bashku me bashkëshorten e tij Rita, në memorialin dhe muzeun e 11 shtatorit në Ground Zero, në New York.
Ai tha se ajo kishte qenë një ndër përvojat më mbresëlënëse nga udhëtimet e tij në Shtetet e Bashkuara.
“Atje patëm mundësi të bëjmë homazhe, t’i kujtojmë viktimat dhe të mësojmë e reflektojmë mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite”, shkroi Kurti.
Duke folur për përmasat e tragjedisë, ai kujtoi se katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, duke shkaktuar pasoja të tmerrshme.
“2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë, por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, deklaroi ai.
Kurti theksoi se sulmet e 11 shtatorit nuk goditën vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe vlerat demokratike në mbarë botën.
“Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike”, shkroi kryeministri në detyrë.
Ai riafirmoi mbështetjen e Kosovës për Shtetet e Bashkuara, duke nënvizuar lidhjen ndërmjet dy vendeve.
“Kosova qëndron përkrah ShBA-ve jo vetëm se ShBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është e palëkundur”, tha Kurti.
Ai përkujtoi në mënyrë të veçantë edhe 441 pjesëtarët e ekipeve të para të reagimit, të cilët, sipas tij, humbën jetën duke u përpjekur të shpëtonin qindra e ndoshta mijëra njerëz.
“Vepra e këtyre heronjve, policëve e zjarrfikësve dhe jo vetëm, në atë ditë të errët, do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe të brezave të ardhshëm. Le të shërbejnë ata si shembuj të përhershëm për të gjithë ne”, shkroi ai.
Në fund, Kurti rikujtoi një mesazh që kishte parë gjatë vizitës së tij në muzeun e Ground Zero-s: “Memory lives, Freedom wins” – “Kujtesa jeton, liria fiton”.