Votohet qeveria e re e Kosovës, Albin Kurti rizgjidhet kryeministër

Aktuale

Votohet qeveria e re e Kosovës, Albin Kurti rizgjidhet kryeministër

Më: 13 shtator 2026 Në ora: 12:18 Përditësuar në ora: 15:50 më 13.09.2026
Albin Kurti

Betohet qeveria e re e Kosovës

Anëtarët e kabinetit qeveritar Kurti 4 dhanë betimin.

Pas intonimit të himnit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, lexoi tekstin e betimit:

Qeveria e re Kurti 4 u votua me 62 vota pro dhe 8 deputetë votuan kundër.

Pas betimit, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, i përfundoi punimet e seancës së jashtëzakonshme.

Votohet qeveria e re e Kosovës, Albin Kurti rizgjidhet kryeministër

Kuvendi i Kosovës ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i hapur rrugë nisjes së mandatit të katërt të tij në postin e kryeministrit.

Qeveria e re mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të pranishëm në seancë. Në votim, 62 deputetë votuan për përbërjen e re të ekzekutivit, tetë kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Para votimit, kryeministri Albin Kurti prezantoi para deputetëve ekspozenë e Qeverisë së re, duke paraqitur prioritetet dhe objektivat për mandatin e ardhshëm.

Gjatë fjalës së tij, Kurti u ndal edhe te puna e bërë gjatë mandatit të kaluar, duke veçuar zhvillimet në ekonomi, masat sociale dhe mbështetjen e dhënë për sektorë të ndryshëm.

Me votimin e Qeverisë së re, Kosova hyn në një fazë të re qeverisëse, me Kurtin që vazhdon për herë të katërt drejtimin e ekzekutivit.

Albin Kurti prezanton kabinetin e ri të ministrave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar, duke bërë të ditur emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrave që do të drejtojnë dikasteret e ekzekutivit.

Në kabinetin e ri, Glauk Konjufca propozohet zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë.

Pozita e zëvendëskryeministrit për çështje të pakicave dhe bashkëpunim i është besuar Fikrim Damkës.

Përbërja e re e kabinetit përfshin:

Ministër i Financave: Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare: Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme: Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit: Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë: Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Hajrullah Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit: Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha

Ministër i Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit: Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë: Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal: Rasim Demiri

Kurti premton rritje pagash, dyfishim të shtesave për fëmijët dhe valutë digjitale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend vizionin dhe prioritetet e ekzekutivit të ardhshëm.

Kurti tha se motoja e Qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”, ndërsa theksoi se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të qeverisjes së tij, rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Ndër premtimet kryesore të Kurtit është dyfishimi i shtesave për fëmijët në familjet me tre e më shumë fëmijë, nga 45 në 90 euro për fëmijë.

Ai paralajmëroi gjithashtu rritjen e pagës mesatare në sektorin publik në 1 mijë euro në muaj, si dhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për automjetet e importuara nga Bashkimi Evropian.

Kurti tha se Qeveria e re do të vazhdojë politikat për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë dhe bujqësinë. Ai premtoi edhe zbatimin e ligjit për çmimet tavan, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe tregtarëve të ndershëm nga abuzimet.

Në programin e tij ai përfshiu edhe zhvillimin e valutës digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë blockchain, për pagesa dhe shërbime digjitale, si dhe ndërtimin e Kullës së Teknologjisë Informative në Prishtinë.

Kurti në hyrje të ekspozesë flet për procesin në Hagë: Asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë UÇK-në

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurti, në hyrje të ekspozesë së tij para Kuvendit të Kosovës, ka përshëndetur konstituimin e legjislaturës së 11-të.

Kurti ka thënë se këto ditë Kosova po i përcjell me ankth zhvillimet lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Ai e ka cilësuar kërkesën e Prokurorisë në këtë proces si të padrejtë dhe të pabesueshme, duke argumentuar se, sipas tij, ajo është në kundërshtim me të vërtetën historike të popullit të Kosovës dhe drejtësinë e luftës çlirimtare.

“Ju përgëzoj për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit. Këto ditë të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se qëndrimi i Qeverisë që ai ka drejtuar ka qenë i qartë sa i përket luftës në Kosovë.

“Qëndrimi i Qeverisë që unë e drejtova është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullatës civile, ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti ka theksuar se lufta e UÇK-së nuk mund të njolloset nga vendimet e institucioneve gjyqësore.

“Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, ka deklaruar Kurti.

 

Nis seanca

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për formimin e Qeverisë së re.

Në sallën plenare janë të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës Serbe.

Ndërkohë, në sallë nuk janë të pranishëm deputetët e PDK-së, pasi kjo parti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Njëherësh, nuk janë as LDK dhe Aleanca.

Gjithçka gati në Kuvend, pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, sot (e diel), në orën 14:00.

Thirrja u bë pak pasi Haxhiu caktoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.

Seanca për Qeverinë e re, ende pa deputetët e LDK-së dhe PDK-së

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur për zgjedhjen e Qeverisë së re, përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë të pranishëm edhe deputetë të Listës Serbe.

Deputetët e Listës Serbe janë parë duke hyrë në sallën plenare, ku pritet të zhvillohet votimi për formimin e Qeverisë Kurti 4.

Në sallë nuk janë parë ende deputetë nga LDK-ja dhe PDK-ja. PDK-ja ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seancën për formimin e Qeverisë.

Seanca po vijon me pritjen për fillimin e procedurës së votimit për Qeverinë e re.

Guri: Nuk votojmë për Qeverinë Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Paris Guri, para mediave ka deklaruar se nuk do të votojnë pro Qeverisë Kurti.

"Nuk ka takime mes Kurtit dhe Abdixhikut për arsye që prej orës 14:00 është seanca e Kuvendit të Kosovës. E pamundur që të jenë në të dyja vendet njëkohësisht",deklaroi Guri.

Ai theksoi se nuk ka informacione nëse sonte do të ketë edhe seancë për votimin e presidentit.

"Mendoj që është pak e papërgjegjshme sepse deptutetët janë njoftuar vetëm 15 minuta para mbajtjes së seancës e cila fillon në ora 14:00, gjë që e pamundëson ardhjen fizike të deputetëve në Kuvend", deklaroi Guri.

Guri njoftoi se është duke u mbajtur një takim i GP të LDK-së.

A ka takim Kurti-Abdixhiku? Flet Lushaku

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se nuk ka informata nëse do të zhvillohet takim mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kjo deklaratë vjen pasi më herët u raportua se Kurti dhe Abdixhiku pritet të takohen në orën 14:30 për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit të Kosovës.

“Jo, në njohurinë time, jo, nuk kam informata”, tha Lushaku-Sadriu.

Ndërkohë, pak më vonë pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, e thirrur për zgjedhjen e Qeverisë së re.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat