Veprimtari Ramazan Bekteshi ka kritikuar ashpër zhvillimet politike dhe bllokadën institucionale, duke thënë se gjashtë vota mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e presidentit.
Bekteshi ka ngritur pyetjen nëse këto vota do ta shpëtojnë LDK-në nga, siç e quan ai, “falimentimi politik” dhe shtetin nga agonia, apo do të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Kur inati bëhet më i madh se Dardania, nuk rrëzohet vetëm një parti, por rrezikon të plagoset edhe shteti”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Inati më i madh se Dardania
Hotit sërish i erdhi “vera kah dera”. Ai, me trojkën e tij primare, respektivisht me gjashtëshen e turpit, me një gur mund të vrasë dy zogj: ta çajë LDK-në dhe ta çojë shtetin në zgjedhje pa fund.
Misionin e trojkës e admirojnë opozitarët dhe e presin me ankth e padurim, duke refuzuar pafundësisht funksionimin e shtetit dhe duke shpresuar se ky është i vetmi opsion që u ka mbetur në këto kohë të turbullta, kur votuesi i ka braktisur masovikisht.
Pyetja është e thjeshtë dhe vendimtare: A do ta zgjedhin presidentin gjashtë votat e dëshiruara dhe kritike të inatmëdhenjve? A do ta shpëtojnë LDK-në nga falimentimi politik dhe shtetin nga agonia, apo, nga inati, do të hidhen si kamikazë dhe do ta përmbysin veten, partinë dhe vendin?
Kur inati bëhet më i madh se Dardania, nuk rrëzohet vetëm një parti por edhe më keq, rrezikon të plagoset edhe shteti.