Arsimi dual në Kosovë është zhvilluar vrullshëm viteve të fundit, andaj po vlerësohet edhe si storje suksesi.
E kontribut për ngritjen e tij, do të të jap edhe Oda Ekonomike të Kosovës, e cila të mërkurën bëri me dije se ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit me 32 shkolla profesionale që janë pjesëmarrëse në këtë fushë të arsimit.
Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna, tha se këto marrëveshje përfaqësojnë një urëlidhëse që garanton një mjedis profesional mes sektorit publik dhe privat.
Rafuna: OEK mbështet 32 shkolla profesionale në arsimin dual
"Sot nuk po shënojmë vetëm një hap përpara në arsimin dhe aftësimin profesional, por po institucionalizojmë një kthesë rrënjësore, një moment historik në mënyrën se si po përgatitim fuqinë punëtore për të ardhmen. Nënshkrimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe 32 shkollave profesionale që janë pjesëmarrëse në arsimin dual është dëshmi e angazhimit tonë institucional për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm ndërmjet sektorit privat dhe sistemit të arsimit e aftësimit profesional. Këto marrëveshje nuk janë thjesht dokumente formale, ato përfaqësojnë urën lidhëse që garanton një, një mjedis shumë më profesional ndërmjet sektorit privat dhe publik. Dhe këtu duhet ta potencojmë se ky është hapi ynë, ky partneritet apo kjo urë do të jetë funksionale edhe afatgjatë", theksoi Rafuna.
Kështu u bë e ditur në konferencën e Odës Ekonomike të Kosovës, "Përmbyllja e Arsimit Dual në Kosovë: Arritjet, mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejmë", në të cilën morën pjesë ambasadorë e përfaqësues të institucioneve.
Lah Nitaj nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tha se deri tash janë diplomuar dy gjenerata në arsimin dual dhe në vitin tjetër do të diplomohet e treta.
Nitaj u shpreh se kjo është punë me të cilën duhet të jenë krenarë të gjithë.
Nitaj: Dy gjeneratat e para dëshmuan se arsimi dual është storie suksesi
"Arsimi dual në Kosovë është storje suksesi dhe ne duhet të jemi krenarë që të gjithë. E di që nuk ka qenë e lehtë, kemi bërë orë të gjata pune, kemi sakrifikuar vikendet, kemi kaluar edhe ne pa gjumë duke e trajtuar dhe duke përzgjedhur modelet dhe përshtatjet më të mira në kontekstin kosovar. Por unë dua të jem në radhë të parë mirënjohës prindërve që kanë kaluar disa barriera kulturore edhe reminiscenca të tjera", tha Nitaj.
Por, e gjithë kjo u tha se do të ishte e pamundur pa mbështetjen e dy shteteve të tjera, Gjermanisë dhe Luksemburgut.
Ambasadori I këtij të fundit, Eric Dietz tha se ky është një investim tek njerëzit, ndërsa e lidh mësimin me botën e punës. Sipas tij, ky sukses është ndërtuar mbi partneritete të forta dhe trajnime cilësore.
Dietz: Ardimi dualk e lidh mësimin me botën e punës
“Mbështetja e arsimit profesional është një investim te njerëzit. Arsimi dual e lidh mësimin me botën e punës, duke i ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë aftësi praktike, ndërsa bizneseve u siguron fuqinë punëtore të kualifikuar për të cilën kanë nevojë. Duke u bazuar në mbështetjen e mëhershme për modernizimin e arsimit profesional, bashkëpunimi ynë ka forcuar lidhjen ndërmjet arsimit dhe punësimit. Gjashtë programe të reja në fusha si teknologjia informative dhe e komunikimit (TIK), energjia e ripërtëritshme dhe përpunimi i drurit, po u mundësojnë të rinjve të pajisen me aftësi për sektorët në rritje të ekonomisë së Kosovës...Suksesi është ndërtuar mbi partneritete të forta dhe trajnime cilësore. Duke mbështetur njësoj nxënësit, mësimdhënësit, instruktorët në vendin e punës dhe bizneset, kemi ndihmuar në krijimin e një mjedisi ku mësimi dhe praktika shkojnë krah për krah. Rezultatet flasin vetë. Që nga viti 2022, arsimi dual është zgjeruar nga një iniciativë pilot që përfshinte rreth 100 nxënës, në më shumë se 2,500 nxënës në 32 shkolla profesionale dhe mbi 1,000 ndërmarrje partnere”, tha ai.