Kurti: Banjskën e organizoi Serbia, Radoiçiqi dhe grupi i tij duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë

Aktuale

Kurti: Banjskën e organizoi Serbia, Radoiçiqi dhe grupi i tij duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë

Më: 24 shtator 2026 Në ora: 20:52 Përditësuar në ora: 23:00 më 24.09.2026
Albin Kurti

Tre vjet nga rënia e Afrim Bunjakut, familja dhe krerët institucionalë nderojnë heroin e Kosovës

Në Prishtinë është mbajtur të enjten mbrëma akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit të rënies në krye të detyrës të Heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Akademia, e organizuar më 24 shtator 2026, mblodhi drejtues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të Policisë së Kosovës, familjarë dhe të pranishëm të tjerë, të cilët nderuan jetën, veprën dhe sakrificën e Bunjakut.

Fjalë rasti mbajtën u.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Në fjalimet e tyre u theksua kontributi dhe sakrifica e Afrim Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Bunjaku kishte humbur jetën pasi njësitet policore, të cilat kishin shkuar drejt Banjskës pas raportimit për bllokimin e rrugës, u sulmuan. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin e asaj dite si sulm terrorist ndaj sovranitetit dhe rendit kushtetues të vendit.

Një pjesë e veçantë e akademisë iu kushtua edhe familjes së Bunjakut.

Para të pranishmëve foli vajza e tij, e cila ndau kujtime për të atin dhe për sakrificën e tij, ndërsa një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte recitimi i realizuar nga djali i Afrim Bunjakut.

Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë, ndërsa një zyrtar tjetër policor ishte plagosur. Pas sulmit, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të gjerë në zonë.

Institucionet e Kosovës e kanë përkujtuar çdo vit Bunjakun, i cili është shpallur Hero i Kosovës për veprën dhe sakrificën e tij në krye të detyrës. Edhe në trevjetorin e sulmit, kryeministri Kurti kishte rikujtuar se Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë.

Vajza e Afrim Bunjakut me fjalë prekëse për heroin e Banjskës

Sonte po mbahet akademi përkujtimore për rreshterin Afrim Bunjaku i cili u vra në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.

Vajza e të ndjerit, Arbenita, nderoi të atin dhe u shpreh përjetësisht krenare bashkë me familjen për veprën dhe sakrificën e tij.

“Unë jam vajza jote. Emrin tënd do ta mbaj me nder dhe kujtimin tënd me dashuri dhe krenari.

“Lavdi dhe nderim të përjetshëm për heroin Afrim Bunjaku. Përjetësisht krenare, familja jote”, tha ajo në foltore.

Sveçla: Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se agresioni i 24 shtatorit 2023 në Banjskë përbënte sulmin më të madh ndaj Kosovës që nga çlirimi, duke e cilësuar atë si një sulm të planifikuar dhe të mbështetur nga Serbia.

Sveçla këtë deklaratë e bëri në akademinë përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë përballjes me grupin paramilitar serb në Banjskë.

Sveçla: Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës

“Tre vite më parë, Republika jonë u ballafaqua me sulmin e përmasave më të mëdha që nga çlirimi. Një sulm i planifikuar dhe i mbështetur nga karakteri shtetëror i Serbisë dhe i realizuar nga grupet e saj paramilitare.

Që nga orët e para të asaj dite, Banjska u shndërrua në arenë ballafaqimi jo vetëm mes dy palëve, por mes dy qëllimeve. Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin detyrë të vetme mbrojtjen e qytetarëve, sovranitetit dhe tërësisë me territorin të Republikës sonë, të gjithë dhe secili veç e veç, duke qenë të vetëdijshëm se kjo mund t’u kushtonte edhe me jetë”, tha ai.

Duke folur për rreshterin Afrim Bunjaku, Sveçla tha se ai luftoi deri në momentet e fundit të jetës së tij dhe se tashmë është bërë udhërrëfyes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Sveçla: Heroi Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit

“Heroi Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit. Atë ditë, ai ishte prijësi i policëve tanë, që atëherë ai është udhërrëfyesi i tyre. Rezistenca e tij dhe e Policisë së Kosovës bëri që të zbardhet në tërësi plani i elaboruar detajisht nga Serbia ndaj Republikës sonë. Kjo nuk ishte një rënie e zakonshme dhe pikërisht për këtë është heroike. Afrimi mbrojti kolegët e tij, qytetarët e vendit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Shteti u mbrojt në tërësinë e saj edhe falë punës profesionale, guximit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe pas humbjes së kolegut të tyre, qëndruan të palëkundur në krye të detyrës. Ata u udhëhoqën nga shembulli i Afrimit dhe të dëshmorëve të tjerë para tij, por edhe nga përgjegjësia për të mbrojtur shtetin. Në ato rrethana jashtëzakonisht të vështira, qetësia, disiplina dhe profesionalizmi i tyre dëshmuan forcën e një institucioni i cili edhe përballë humbjes së njërit prej të vetëve, vazhdoi të kryejë misionin dhe të mbrojë Republikën”, u shpreh ministri.

Kurti: Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se agresioni i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte një përpjekje e mbështetur nga Serbia për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Kreu i qeverisë, në akademinë përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë gjatë sulmit të një grupi paramilitar serb, u shpreh se për një kohë të gjatë veriu ishte përshkruar si zonë e pakontrolluar dhe vatër e krimit të organizuar.

Kurti: Serbia e kuptoi se tashmë është eliminuar prania e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës

“Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar dhe përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale. Vargmalet dhe territori i vështirë e i thepisur ishin shndërruar në hapësira lehtë të qasshme për kontrabandim armësh e mallrash, aktivitete ilegale të llojllojshme e hyrje-dalje të figurave kriminale. Ekzistonte një pajtim në heshtje se në veriun e Kosovës mund të jetohej dhe përfitohej jashtë orbitës së sundimit të ligjit dhe rendit demokratik. Kjo situatë e papranueshme dhe alarmuese duhej të ndryshonte medoemos. Ndryshimi në kalimin nga anomalia në normalitet, u përball me mobilizim të strukturave e grupeve kriminale të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi zyrtar. Serbia dështoi disa herë të ruante ndikimin e saj të madh në veriun e shtetit tonë. Nuk funksionuan as barrikadat, as sulmet e përsëritura ndaj institucioneve tona dhe KFOR-it, as dorëheqjet kolektive të orkestruara, as kërcënimet me aeroplanë MIG e ushtri të stacionuar afër kufirit, me baza të përparme ushtarake e të xhandarmërisë dhe nivel të lartë të tyre të gatishmërisë për sulm. Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe është eliminuar prania e aftësia e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Kurti iu referua agresionit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si sulm paramilitar të mbështetur, financuar, trajnuar dhe instruktuar nga Serbia.

Kurti: Synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit

“Në këtë situatë të re, synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq. Të veshur me uniforma taktike ushtarake e të pajisur me armatim të Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, atë mëngjes, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti”, theksoi Kurti.

Kurti tha se, tri vjet pas sulmit, kryeterroristi Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të grupit vazhdojnë të jenë në Serbi dhe kërkoi që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Kurti: Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë

“Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi. Afrimi, heroi ynë, i doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror e sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen. Rënia e tij në krye të detyrës, e skalit si figurë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror e integritetit territorial, rendit publik e sundimit të ligjit. Falë sakrificës dhe aktit heroik të Afrim Bunjakut, nuk u ndal rruga e drejtë e shtrirjes së sovranitet në 17% të territorit të vendit tonë. Pas neutralizimit të sulmit të grupit paramilitar serb, për herë të parë nisi funksionimi i plotë i shtetit dhe të gjitha institucioneve të tij në veri të vendit. Pasoi arritja e shumë sukseseve dhe fitoreve në këtë trevjeçar në funksion të sundimit të ligjit dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, u shpreh ai.

Tre vjet nga Banjska, Haxhiu: Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës, plani për aneksimin e veriut të Kosovës dështoi

Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar agresionin në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin e veriut të vendit nga Serbia.

Haxhiu u shpreh se institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë.

Haxhiu: Afrim Bunjaku me shokë parandaluan aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia

“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni. Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë. Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska”, theksoi ajo.

Ajo ka folur edhe për përvojën e rreshterit Bunjaku në Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kishte 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet shërbim si rreshter.

Haxhiu: Afrimi ra heroikisht, aneksimi i veriut tw Kosovës dështoi falë guximit të policisë

“Afrim Bunjaku kishte 22 vjet përvojë në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter. Kur arritën te bllokada, ai nuk i la policët më të rinj të shkonin para tij, doli vetë i pari. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Afrimi dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa menjëherë më pas ndaj policëve u hap zjarr. Nëntoger Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur. Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe pengoi grupin e armatosur që të merrte nën kontroll territor në veri të vendit. Përpjekja për shkëputjen dhe aneksimin e veriut dështoi falë guximit, falë profesionalizmit dhe falë vendosmërisë së Policisë së Kosovës”, u shpreh ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat