Kurti: Mbi 53 për qind e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme

Aktuale

Kurti: Mbi 53 për qind e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme

Më: 1 tetor 2026 Në ora: 10:18 Përditësuar në ora: 10:22 më 01.10.2026
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Haxhiu në hapjen e “Tetorit Rozë”: Gratë kanë të drejtë të kujdesen për veten pa u ndjerë fajtore

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, dedikuar ndërgjegjësimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi rëndësinë që gratë të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të mos i lënë nevojat personale pas angazhimeve familjare e profesionale.

“Shumë gra janë mësuar t’i lënë nevojat e veta për më vonë, për shkak të kujdesit për fëmijët, prindërit e moshuar, për punën dhe shtëpinë, duke pritur të gjejnë pak kohë për veten. Shpesh këtë vetëmohim e kemi quajtur virtyt, pa e pyetur se sa kushton vetë jeta e grave”, tha Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje grave që të kujdesen për shëndetin e tyre, të kërkojnë ndihmë dhe të mos ndihen fajtore për këtë.

“Gruaja ka të drejtë të kujdeset për veten pa u ndjerë fajtore për punët që atë ditë mbeten pa u kryer. Ju që e keni përjetuar këtë sëmundje, duhet t’ju falënderoj për praninë, po ashtu edhe për besimin që na jepni duke ndarë përvojën tuaj”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se gratë që përballen me sëmundjen kanë të drejtë të kërkojnë mbështetje dhe trajtim.

“Ju keni të drejtë ta shëroni lodhjen, ta kërkoni ndihmën dhe ta merrni atë. Nuk ju takon juve t’ua lehtësoni të tjerëve peshën e së vërtetës suaj”, tha ajo.

Kurti: Mbi 53 për qind e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se mbi 53.4 për qind e rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë gjatë vitit 2025 janë diagnostikuar në stadet e hershme, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit me kohë.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë raportuar 601 raste të reja, prej tyre 592 te gratë dhe nëntë te burrat.

Në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, Kurti ka thënë se krahas shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, është shënuar përparim në diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

“Jemi këtu për gratë që janë në trajtim, dhe për ato të cilat e kanë përfunduar atë, që të rrisin vetëdijen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, pra të zbulimit të hershëm dhe të trajtimit me kohë. Falënderoj të gjitha organizatat që përmes punës së tyre të përditshme u qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre. Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit; 592 te gratë dhe 9 te burrat. Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin ose në fazën e tretë, ose të katërt. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë. I njëjti trend është evidentuar edhe në vitin e kaluar, 2025, kur mbi 53.4% të rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme. Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira. Zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë jetik. Shqetësimet nuk duhet injoruar, dhe kontrollet nuk duhet shtyrë e vonuar”, tha ai.

Kreu i qeverisë ka theksuar se që nga viti 2023 mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike, ndërsa ka bërë të ditur se në Fushë Kosovë tashmë është funksionalizuar një mamograf i ri.

Ai ka njoftuar gjithashtu se në Klinikën e Onkologjisë janë vendosur dy akseleratorë të rinj, njëri prej të cilëve është i pajisur me sistemin CRAD, që, sipas tij, mundëson realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë.

“Në shëndetësinë publike, që nga viti 2023, mamografia ofrohet falas. Së fundmi, një mamograf është blerë dhe tashmë është funksional në Fushë-Kosovë. E në shëndetësinë tek ne, konkretisht në Klinikën e Onkologjisë, janë vendosur edhe dy akseleratorë të rinj, njëri prej tyre është i pajisur me sistemin CRAD, që ndihmon në realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë, i vetmi në rajon. Por përveç Fushë-Kosovës, janë edhe 8 mamografë të tjerë që të gjithë dixhitalë, të cilët do të vijnë këtë vit dhe do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës, aty ku nuk ka”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat