Avokati Arianit Koci ka reaguar për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si synohet të bartet kontrolli i kushtetutshmërisë nga Dhoma Kushtetuese në Hagë te Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Koci thekson se, ndonëse dëshiron të ndihmojë çlirimtarët, sipas tij kjo mund të mos jetë rruga e duhur, pasi neni 162 i Kushtetutës i njeh Dhomës në Hagë kompetencë ekskluzive për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar. Ai u ka kërkuar deputetëve të japin përgjigje të qarta se çfarë do të ndodhë pas votimit dhe si do të zbatohen ndryshimet e propozuara, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i plotë
Edhe unë dua me iu ndihmu çlirimtarëve. Por nuk besoj se kjo është mënyra e duhur.
Sipas propozimit të bërë publik, kontrolli i kushtetutshmërisë së Ligjit për Specialen synohet me u bartë nga Dhoma Kushtetuese në Hagë te Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Këtu e shoh problemin: neni 162, paragrafi 3, ia njeh Dhomës në Hagë kompetencën ekskluzive për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar. Sipas vlerësimit tim, këtë kompetencë nuk mundemi me ia heqë vetëm duke ndryshu ligjin.
Pa e zgjidhë këtë pengesë, kam frikë se nesër kemi me e dëgju arsyetimin: “Ne u munduam, por nuk ia arritëm.”
Me shpresën e popullit dhe të familjeve nuk duhet me lujt.
Prandaj, duhet me i dëgju profesionistët që ia duan të mirën vendit dhe çlirimtarëve, e që gjykojnë pa llogaritë sa vota fitojnë apo humbin. Le ta gjejmë një rrugë që mund të zbatohet.
Jam i gatshëm me ndihmu.
E di që ky qëndrim mundet me u keqkuptu dhe me pasë kosto politike për mua. Por dikush duhet me e marrë edhe këtë barrë.
Për këtë arsye, po kërkoj nga deputetët përgjigje para se të votojnë:
Çka ndodh pas votimit? Si kanë me u zbatu këto ndryshime dhe si kanë me iu ndihmu çlirimtarëve? Këto përgjigje ua keni borxh qytetarëve.
Përgjegjësia juaj nuk përfundon me votim.