Elvana Shala në Forumin Botëror të Ushqimit në Romë, synon partneritete ndërkombëtare për Kosovën

Aktuale

Elvana Shala në Forumin Botëror të Ushqimit në Romë, synon partneritete ndërkombëtare për Kosovën

Më: 12 tetor 2026 Në ora: 11:37
Elvana Shala

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC do të diskutojë për investimet në bujqësi, zhvillimin ekonomik dhe përfshirjen e të rinjve, ndërsa në agjendë ka edhe takime me përfaqësues të vendeve që nuk e njohin Kosovën.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, po merr pjesë në Forumin Botëror të Ushqimit, i cili ka nisur punimet të hënën në Romë të Italisë, me ftesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Forumi i sivjetmë zhvillohet nën moton “Inovo sot. Ushqe të nesërmen”, me fokus në veprimin global të të rinjve, shkencën dhe inovacionin, si dhe investimet dhe partneritetet ndërkombëtare.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë forum, Shala do të përqendrohet në mundësitë për krijimin e partneriteteve me investitorë dhe partnerë ndërkombëtarë, me synim përfshirjen e Kosovës në iniciativa që mund të kontribuojnë në financimin e projekteve bujqësore dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimeve do të jetë roli i të rinjve në vendimmarrje dhe kontributi i tyre në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat ushqimore në nivel global.

Në kuadër të forumit, një vëmendje e veçantë i kushtohet nxitjes së inovacionit në bujqësi, përdorimit të teknologjive të reja, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të sistemeve ushqimore të qëndrueshme përballë sfidave klimatike.

Po ashtu, platforma “Hand-in-Hand Investment Forum” synon të afrojë qeveritë, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbështetur projekte bujqësore dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Gjatë qëndrimit në Romë, ambasadorja Elvana Shala pritet të zhvillojë edhe takime me përfaqësues të vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të cilët po marrin pjesë në këtë forum.

Këto takime synojnë të krijojnë mundësi për dialog, bashkëpunim dhe avancimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat