Merz kërkon përparim në dialogun Kosovë-Serbi, Kurti nga Samiti i Berlinit kërkon statusin e kandidatit për BE-në

Aktuale

Merz kërkon përparim në dialogun Kosovë-Serbi, Kurti nga Samiti i Berlinit kërkon statusin e kandidatit për BE-në

Nga: Bota sot Më: 22 tetor 2026 Në ora: 08:19 Përditësuar në ora: 12:26 më 22.10.2026
Liderët

Kryeministri i Malit të Zi: Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë, zgjerimi i BE-së sjell paqe dhe siguri

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe respektimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar një perspektivë të qartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në fjalën hyrëse të Samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, Spajiç ka thënë se e ardhmja e Evropës duhet të ndërtohet mbi sigurinë, paqen dhe të drejtën e çdo populli për të vendosur për të ardhmen e vet.

Spajiç ka vënë theksin te rëndësia e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një proces që kontribuon në paqen dhe sigurinë e kontinentit.

“Ruajtja e paqes nënkupton se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe çdo komb ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e vet. Evropa duhet të ketë qartësinë e njëjtë për zgjerimin. Zgjerimi është riunifikimi i kontinentit tonë, është premtim i vazhdueshëm i paqes dhe sigurisë në Evropë, që mbetet shpresa e shtëpisë sonë të përbashkët”, tha ai.

Samiti i Procesit të Berlinit mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian, me synimin për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të avancuar integrimin evropian të rajonit.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti.

Merz: Nevojitet përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se gjendja aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po i pengon të gjitha palët, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe përparim.

Merz i bëri këto komente në fjalën hyrëse në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet sot në Mal të Zi.

“Në vitin 2018, në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, ne e hodhëm poshtë bashkërisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane. Kjo vlen edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në gjendjen aktuale, ky proces po i pengon të gjithë. Prandaj, ne bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, tha Merz.

Kancelari gjerman theksoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht dinamik është thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për rajonin dhe Procesin e Berlinit.

Gjatë fjalimit, Merz u ndal edhe te rëndësia e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së, duke vlerësuar se anëtarësimi është një objektiv realist nëse vendet e rajonit janë të vendosura dhe zbatojnë reformat e nevojshme.

Ai theksoi se integrimi gradual në BE duhet të mbetet i bazuar në merita, ndërsa reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Merz foli edhe për protestat në rajon dhe në vendet e BE-së, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë opsion nga asnjëra palë. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër retorikës përçarëse, polarizimit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe respektimi i vlerave evropiane janë thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë.

Kancelari gjerman vlerësoi se gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit janë arritur rezultate në lëvizjen e lirë të punëtorëve, investime, turizëm, agjendën e gjelbër dhe shërbimet digjitale.

Ai përmendi gjithashtu përparimin e procesit të zgjerimit, duke theksuar se Mali i Zi është afër përfundimit të procesit të anëtarësimit.

Merz siguroi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Procesin e Berlinit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, pas përfundimit të fjalimit të kancelarit Merz, punimet e Samitit të Procesit të Berlinit po vazhdojnë pa praninë e mediave.

Kurti nga Samiti i Berlinit: Koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat me BE’në

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Mal të Zi, duke thënë se, është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Kurti, ka shtuar edhe se, Kosova ka funksionalitet demokratik, stabilitet institucional, rritje ekonomike dhe vëmendje të plotë ndaj këtij procesi.

‘‘Dhe ta mbajmë të lartë vëmendjen për integrimin evropian. Kosova është një demokraci elektorale, liberale dhe egalitare.

Ne kemi funksionalitet demokratik. Kemi stabilitet institucional. Kemi rritje ekonomike dhe kemi vëmendje të pandarë. Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE. Prandaj, sot dhe çdo ditë, do t’u bëj thirrje të gjithë liderëve të BE-së që të kërkojnë një opinion nga Komisioni Evropian lidhur me këtë çështje..’’, ka thënë Kurti.

Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Mal të Zi, këto janë temat që do të diskutohen

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Miloçer të Malit të Zi, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, ku pritet të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, së bashku me përfaqësues të institucioneve evropiane dhe vendeve partnere.

Samiti do të bashkëkryesohet nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz. Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka udhëtuar të mërkurën drejt Malit të Zi. Përveç pjesëmarrjes në samit, Kurti pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me drejtues dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Një ndër çështjet kryesore që pritet të trajtohet është forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, përfshirë lehtësimin e tregtisë, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.

Po ashtu, liderët pritet të diskutojnë për sfidat e sigurisë rajonale dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fokus do të jetë edhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese rajonale, si dhe vlerësimi i hapave të ndërmarrë deri më tani në kuadër të afrimit me tregun evropian.

Procesi i Berlinit dhe integrimi evropian

Procesi i Berlinit është iniciativë e nisur në vitin 2014, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Një prej mekanizmave kryesorë të kësaj nisme është Tregu i Përbashkët Rajonal, që synon lehtësimin e qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik.

Në kuadër të këtij procesi janë ndërmarrë edhe hapa për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në rajon.

Takimi i sotëm pritet të shërbejë si një mundësi për të shqyrtuar përparimin e arritur dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.

Megjithatë, përtej objektivave ekonomike, rëndësia e këtij procesi lidhet edhe me forcimin e stabilitetit politik dhe të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, në një kohë kur integrimi evropian mbetet një nga synimet kryesore të Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat