Kancelari austriak theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë pas formimit të Qeverisë së Kosovës.
Kancelari i Austrisë, Christian Stocker, ka vlerësuar si të mirë bashkëbisedimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të zhvilluar në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Stocker ka theksuar se pas formimit të Qeverisë së Kosovës është thelbësore që vendi të punojë për avancimin e procesit të integrimit evropian me ritëm të shpejtë.
“Në këtë kontekst, respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e pavarura të drejtësisë janë thelbësore”, ka shkruar Stocker.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ku përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse diskutojnë për bashkëpunimin rajonal dhe avancimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.