Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci deklaroi sot se siguria kibernetike është komponent kyç i sigurisë kombëtare dhe se përballimi i kërcënimeve bashkëkohore kërkon kapacitete të avancuara, përgatitje profesionale dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional.
Ai gjatë ushtrimit ndërinstitucional “Digital Siege 2026” theksoi se për Ministrinë e Mbrojtjes, mbetet prioritet zhvillimi dhe avancimi i kapaciteteve të FSK-së në fushën e sigurisë kibernetike.
“Do të vazhdojmë të investojmë në dije, teknologji dhe profesionalizëm, si dhe të forcojmë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët tanë strategjikë, për një Republikë të Kosovës më të sigurt dhe më të qëndrueshme përballë sfidave të së ardhmes”, shkroi Maqedonci në një postim në Facebook.
Ushtrimi “Digital Siege 2026” shënon të parin e këtij lloji të realizuar nga Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.
Kujtojmë, funksionalizimi i Qendrës në FSK është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.