Deputetët e Komisionit për Legjislacion kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila, tri ditë para se të vritej, kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka kërkuar dorëheqjen e kryeprokurores së rastit, Lumturie Buçetaj, dhe të prokurorëve përgjegjës, duke vlerësuar se ngushëllimet nuk janë të mjaftueshme përballë rasteve të përsëritura të dhunës ndaj grave.
Ajo tha se komisioni duhet të trajtojë përgjegjësinë e zinxhirit komandues dhe të mos mjaftohet vetëm me reagime pas vrasjeve.
Deliu-Kodra: Kemi një vrasje të një gruaje në duart e shtetit
“Konsideroj që është e pamjaftueshme që ne si deputetë që kemi marrë mandat prej qytetarëve të Republikës së Kosovës të mjaftohemi vetëm me një ngushëllim. Janë raste të përsëritura, të cilat po i zënë institucionet e Kosovës në pozita të tilla, pra një grua mbrëmë është vrarë në duart e shtetit. Ka një letër të cilën zonja Arlinda e ka drejtuar në drejtim të institucioneve përkatëse, duke kërkuar mbrojtje dhe përkrahje për shkak të kërcënimeve që ajo në letrën e saj i flet haptazi dhe drejtohet me kërkesën e saj legjitime, si qytetare e Kosovës, që të ofrohet mbështetja e shtetit. Pra, po flasim për një rast që kemi një vrasje të një gruaje në duart e shtetit, dhe unë sot, pa dashur të mbroj askënd, konsideroj që ky komision do të duhej që të fliste për nevojën e përgjegjësisë që e ka zinxhiri komandues për një rast të tillë, është e pamjaftueshme për ne si komision të themi që me ngushëllim e mbylle çdo gjë. Po e them këto raste janë tepër të rënda dhe institucionet e Republikës së Kosovës shumë shpesh po përballen me raste të tilla, prandaj dorëheqja në këtë rast të kryeprokurores së rastit, zonjës Lumturie Buçetaj, dhe të prokurorëve përgjegjës është më e pakta që do të duhej të ndodhte sot. Dhe letra e shkruar flet më shumë për ndërgjegjen e vrarë, jo të zonjës që ka ndërruar jetë. Po të shoqërisë tonë dhe të neve si deputetë, tonë si deputetë. Për të folur zëshëm dhe për të kërkuar nuk lodhem unë kush është sot kryeprokuror atje, nesër mund të jetë familjari ynë, vajza jona, e cila është shembulli që ne po i japim vajzave, grave që jetojnë dhe rriten në një shtet që nuk arrin t'ju ofrojë mbrojtje dhe me këtë rast kemi cenim të jetës së saj”, tha ajo.
Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se reagimet politike, seancat e jashtëzakonshme dhe politikat e miratuara deri më tani nuk kanë sjellë ndryshimet e nevojshme për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve të grave.
Ajo kërkoi që deputetët të lënë mënjanë dallimet partiake dhe të reflektojnë për përgjegjësinë e tyre në trajtimin e kësaj çështjeje.
Kica-Xhelili: A kemi më fytyrë të flasim pas vrasjes së grave
“Prej vitit 2022 deri tani, që jemi në fund të vitit 2026, çfarë kemi parë kanë qenë raste sistematike të dhunës dhe vrasjeve të grave në Kosovë, të cilat kanë përfunduar me statusin Facebook, fjalimin në Kuvend, seancat jashtëzakonshme, fjalime të jashtëzakonshme në Kuvend, disa politika që, nuk e di si kanë filluar, nuk e di si kanë përfunduar, por çka po vërehet është që nuk po ndryshon asgjë. Dhe, me të drejtë, nuk u mjaftuam asnjëri me një ngushëllim, sepse të gjithë duhet të mendojmë sot: a kemi më fytyrë me fol? Sinqerisht, nuk e di a kemi më fytyrë secili në këtë komision, edhe çdo deputet me fol. Çka seancë e jashtëzakonshme? Shumë mirë që po e bëjmë seancën e jashtëzakonshme, por çka? Çka jemi tu bo realisht, me të vërtetë, për këto raste?.. Por shumë mirë që do t’i ftojmë në raportim, duan të na tregojnë: po, ka shumë pyetje që do të bëjmë. Sa gra kanë kërkuar mbrojtje prej herës së fundit kur kemi bërë politika? Çka ka bërë Ministria e Drejtësisë krejt gjatë kësaj periudhe? Po, a bën të lutem një pyetje esenciale, t’ia bëjmë vetes sot: a jemi ne ende ata të cilët munden këto gra të Kosovës t’i shikojmë dhe të themi: këta do të na bëjnë zgjidhje? A po ndihemi ne sot që mundemi të bëjmë zgjidhje? Unë e kom pas një rezolutë për këtë çështje në fund të 2022-ës, edhe është politizuar. A ka mundësi? Të lutem shumë, të harrohet krejt petku i simbolikave tona partiake, sepse kjo shkon përtej. Të mos harrojmë se nuk mjafton seanca, nuk mjafton raportimi, nuk mjaftojnë më politika në letër, nuk mjaftojnë fjalimet e mira, nëse s'jemi në gjendje të kryejmë këtë punë si duhet, po japim dorëheqje. Le të vjen dikush më i mirë se ne”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e cilësoi rastin si dështim të institucioneve përgjegjëse dhe kërkoi themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje. Sipas tij, përgjegjësia duhet të shqyrtohet në tri institucione kryesore: policinë, prokurorinë dhe qendrat për punë sociale.
Tahiri: Vrasja e grave, kemi të bëjmë me dështim të shtetit
“Një rast shumë i rëndë, njëkohësisht shumë familje që janë ballafaquar me situata të këtilla, në të cilat janë me vaj në buzë, po ashtu ndihemi të lënduar, dhe shpresoj që edhe këtë temë duhet ta trajtojmë. Mirëpo, ajo që ndoshta ia vlen sot me thënë pak më me zë, është si ndjenjë: ky nuk është vetëm femicid kryesues i komisionit. Këtu kemi të bëjmë me një dështim të shtetit. Këtu kemi të bëjmë me një dështim të zinxhirit hierarkik të institucioneve përgjegjëse të cilat kanë abstenuar me qëllime apo pa qëllim, ku duhet ta konstatoj hetimin, mirëpo këtu kemi një abstenim në një mungesë, në një dështim të shtetit. Për të cilin duhet vënë llogari institucionet përgjegjëse. Kur i shohim përgjegjësinë, këtu janë tri institucione të rëndësishme: e para ndërlidhet me policinë, e dyta ndërlidhet drejtpërdrejt me prokurorinë, dhe e treta lidhet me qendrat për punë sociale të cilat janë adresat kryesore që shkojnë dhe adresohen çështjet si kjo prej dhunës familje deri te kërcënimet. Kuvendi do të duhet që sot, po ashtu të kërkon themelimin e një komisioni hetimor rreth kësaj teme, e pse jo edhe ta zgjerojë gamën pak, për shkak se problemet janë bukur serioze. Unë isha shkuar pak më larg, edhe në rastin e fundit kur e kam pas një qëndrim, e kam lidhur pak edhe me edukimin shoqëror. Duhet bërë edhe akademia e shkencave, dhe sociolog e psikolog e historian e çka janë, duhet bërë pak me nda me i tregu që po jetojmë çerek shekullin e dytë, shekullin e 21-të, edhe që temë duhet pasur guxim dikush të thotë: "Po pra vëlla, kanuni është i mirë, ka qenë i mirë për atë kohë, po e morri në qafë një komb", tha Tahiri.
Deputetja e LVV-së, Arijeta Rexhepi, tha se institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari kur një grua kërkon ndihmë dhe mbrojtje nga organet kompetente.
Rexhepi: Uroj të mos ketë më vrasje
“Kur një grua vjen edhe shqetësohet para policisë, e organeve kompetente, duhet të japim llogari për punën edhe për detyrën që e kanë për të mbrojtur një grup, por edhe në raste të tjera një familje. Ata duhet të japin llogari. E për këto, në takimet e radhës që do t'i planifikojmë, t'i mbajmë, sikurse është edhe seanca, e jashtëzakonshme, përveç diskutimeve që duhet të bëhen patjetër, njëkohësisht do të kërkohet edhe llogari për organet përgjegjëse. Ngushëllimet përzemërta e uroj që këto mos të na ndodhin më”, tha ajo.
Në fillim të diskutimit, kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, shprehu ngushëllime për familjen e viktimës dhe theksoi nevojën që drejtësia të vihet në vend.
Kryetari i komisionit Vigan Qorrolli tha se gjatë javës do të kërkojnë një takim urgjent me përfaqësues të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Qorolli: Do të kërkojmë urgjent takim me përfaqësues të KPK-së dhe KGJK-së
“Do të kërkojmë urgjent një takim me përfaqësues të KPK-së dhe KGJK-së”, tha ai.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati. Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.