Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se 18 të burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë përfunduar me sukses programe rehabilituese dhe aftësime profesionale, duke u pajisur me certifikata në tri fusha të ndryshme.
Sipas njoftimit, 10 të burgosur janë certifikuar në programin rehabilitues “Menaxhimi i Zemërimit”, ndërsa tre të tjerë në aftësimin profesional për profilin “Elektroinstalues” dhe pesë në atë të “Ndihmës Kuzhinierit”.
Programi “Menaxhimi i Zemërimit” kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për kontrollin e emocioneve, menaxhimin e konflikteve dhe përmirësimin e sjelljeve. Ndërkaq, aftësimet profesionale u kanë mundësuar pjesëmarrësve të fitojnë njohuri dhe shkathtësi praktike, të cilat mund t'u ndihmojnë në gjetjen e një pune pas lirimit.
Programi rehabilitues është realizuar nga trajnerët Muhamet Fazliu, Fadil Hyseni dhe Ibrahim Musa, ndërsa aftësimet profesionale janë udhëhequr nga Nexhmedin Sllamniku për profilin “Elektroinstalues” dhe Veli Aliu për profilin “Ndihmës Kuzhinier”.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i përkushtuar në avancimin e programeve rehabilituese dhe aftësimeve profesionale, me synimin për të përgatitur personat e dënuar për riintegrim të suksesshëm në shoqëri dhe për të ulur rrezikun e përsëritjes së veprave penale.