Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka vënë në dyshim mandatin e grupit punës që po harton strategjinë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai foli të dielën, më 1 nëntor, në Klan Kosova, raporton Zëri.
Sipas Blakajt, ende nuk është e qartë çfarë kompetencash konkrete do të ketë grupi punës. Po ashtu, nuk dihet si mund të ndikojë ai në procedurat gjyqësore.
Ai tha se problemi kryesor i mbrojtjes së katër ish-drejtuesve të UÇK-së ka qenë mungesa e burimeve financiare. Kjo, sipas tij, ka sjellë ndryshime të shpeshta në përbërjen e ekipeve. Avokatë janë tërhequr dhe janë zëvëndësuar gjatë procesit, gjë që e ka dobësuar më tej mbrojtjen.
“Ekipeve mbrojtëse u duhet mbështetje financiare”, tha Blakaj.
Grupi punës është themeluar nga Qeveria e Kosovës. Debati për të vjen në një kohë kur Kuvendi është ende përballë ligjit për Specialen, të cilin presidentja Shiroka-Pula ia ktheu për rishqyrtim. Ligji ka ngjallur shqetësim te partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
Ndryshe, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se, deri në fillim të javës së ardhshme do të funksionalizohet grupi punues për mbrojtjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e dytë të apelit në Hagë.
“Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që Qeveria e ka marrë vendimin për themelimin e grupit punues dhe natyrisht, deputeti i deleguar nga ne do të jetë në nivel të detyrës, por nuk e kemi vendosur aktualisht sot emrin... Besoj që më së largu kah fillimi i javës së ardhshme, ne do t’i dërgojmë propozimet tona...E shoh të rëndësishëm që të udhëhiqet nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, i cili e ka përvojën e duhur dhe njohuritë e nevojshme edhe vullnetin që të përmbyllim me sukses mandatin që iu është dhënë... Do të jetë një grup shumëdimensional dhe nuk kam asnjë dyshim që do të ketë një pajtueshmëri të plotë të anëtarëve të grupit punues”, ka deklaruar ajo.