Raporti i Progresit, ambasadori i BE-së tregon ku ka përparuar Kosova në rrugën evropiane

Aktuale

Raporti i Progresit, ambasadori i BE-së tregon ku ka përparuar Kosova në rrugën evropiane

Nga: A.M. Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 18:07 Përditësuar në ora: 19:48 më 04.11.2026
Dirk Schuebel

Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

Kryeministri, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim dhe të nisë sa më shpejt procesi i negociatave.

Në konferencën për media pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Kurti tha se integrimi në BE mbetet prioritet strategjik dhe afatgjatë i vendit, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe konsensus ndërpartiak.

Ai vlerësoi se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur, pasi vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.

Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

“Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik dhe afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak. Megjithatë, pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë... Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Pas një muaji bëhen katër vjet që nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin. Pavarësisht kësaj, Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, tha ai.

Duke komentuar gjetjet e raportit, kryeministri Kurti tha se bllokada institucionale ka ndikuar në ngadalësimin e reformave. Ai tha se kjo situatë ka vonuar ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe ka lënë një numër ligjesh në pritje të miratimit.

Sipas Kurtit, në disa fusha progresi gjatë këtij viti ka qenë më i ngadalshëm se në vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton regres.

Ai theksoi se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë.

Kurti: Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë

“Në raportin e këtij viti, niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë. Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë sesa vitin e kaluar në reformën e administratës publike, drejtësi, liri dhe siguri, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistika, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes. Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muajt e fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje: komunale në tetor të vitit 2025, parlamentare në dhjetor të vitit 2025 dhe në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë... Ky vit i raportimit ka qenë sfidues, sepse bllokada e Kuvendit e ngadalësoi ritmin e reformave, siç thuhet edhe nga vetë Komisioni. Për shkak të kësaj, u vonua ratifikimi i marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe shumë ligje mbetën në pritje. Në disa fusha progresi i këtij viti është më i ngadalshëm sesa i vitit të kaluar. Nuk kemi rënë në nivel, por kemi ecur më ngadalë, pasi Kuvendi u mbajt i bllokuar”, tha ai.

Schuebel: Bllokada institucionale ngadalësoi reformat, Kosova ka mundësi t’i kompensojë vonesat

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka vlerësuar se bllokada politike vitin e kaluar në Kosovë ka ndikuar në ngadalësimin e reformave evropiane, por ka theksuar se zhvillimet e reja politike krijojnë mundësi për përshpejtimin e tyre.

Në konferencën për media pas dorëzimit të Raportit për Kosovën për vitin 2026, Schuebel tha se periudha e vlerësuar është karakterizuar nga tri palë zgjedhje brenda 16 muajsh, një Kuvend që për pjesën më të madhe të kësaj periudhe nuk ishte konstituuar dhe një Qeveri që kryesisht kishte funksionuar në detyrë.

Sipas tij, kjo situatë ka prodhuar një ritëm më të ngadaltë të reformave, i cili është pasqyruar edhe në raportin e Komisionit Evropian.

Megjithatë, ambasadori theksoi se situata aktuale është ndryshe, pasi Kosova tashmë ka Kuvend të konstituuar, Qeveri me mandat të plotë dhe presidente të re. Ai tha se Bashkimi Evropian e mirëpret këtë zhvillim dhe pret qëndrueshmëri të ripërtërirë institucionale.

Schuebel u bëri thirrje institucioneve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të kompensuar vonesat e krijuara dhe për të intensifikuar reformat evropiane në të gjitha fushat.

Schuebel: Bllokada institucionale në Kosovë ngadalësoi reformat

“Kjo periudhë raportuese u karakterizua nga një bllokadë institucionale në Kosovë. Tri palë zgjedhje brenda 16 muajsh, një Kuvend që për pjesën më të madhe të kësaj periudhe nuk ishte konstituuar dhe një Qeveri që kryesisht funksiononte në detyrë. Logjikisht, kjo ka çuar në një ritëm më të ngadaltë të reformave, gjë që pasqyrohet edhe në raport. Sot situata është ndryshe. Kosova ka një Kuvend të konstituuar, një Qeveri me mandat të plotë dhe një presidente të sapozgjedhur. BE-ja e mirëpret këtë zhvillim. Jemi shumë të kënaqur dhe presim qëndrueshmëri të ripërtërirë institucionale. Kosova tani ka institucione plotësisht funksionale për të çuar përpara reformat. Ky është një rast për të kompensuar vonesat dhe nuk duhet humbur. Tashmë shohim një dinamikë të re në zbatimin e agjendës së reformave. Ju inkurajoj që të intensifikoni përpjekjet për reformat evropiane në të gjitha fushat”, tha ai.

Duke komentuar më konkretisht gjetjet e raportit, ambasadori tha se, pavarësisht vitit të vështirë, Kosova ka arritur të shënojë përparim në disa fusha. Ai veçoi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në mënyrë të rregullt, paqësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe avancimin e nivelit të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas Schuebelit, përmirësim i ritmit të përparimit është vërejtur edhe në reformën e administratës publike, lirinë dhe sigurinë, statistikat, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare dhe politikën rajonale.

Ky është progresi që ka bërë Kosova në zbatimin e reformave, sipas ambasadorit të BE-së

“Kosova ka avancuar nivelin e përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa ritmi i përparimit është përmirësuar në disa fusha, si reforma e administratës publike, liria dhe siguria, statistikat, lëvizja e lirë e kapitalit, shërbimet financiare dhe politika rajonale. Miratimi i fundit i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është një hap i shumëpritur. Ky ligj ka rëndësi për luftën kundër krimit të organizuar, lëvizjen e lirë të kapitalit dhe përgatitjet e Kosovës për t'iu bashkuar Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Ratifikimi i tri protokolleve shtesë të CEFTA-s është një tjetër hap pozitiv drejt integrimit ekonomik rajonal. Megjithatë, është e qartë se një sërë reformash ende kanë mbetur pezull. Sa i përket gjyqësorit dhe të drejtave themelore, gjatë vitit që kemi shqyrtuar nuk kemi parë përparim domethënës. Reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, duhet të përfundojë përmes bashkëpunimit... Edhe liria e shprehjes duhet të përmirësohet. Korniza ligjore duhet të avancojë, përfshirë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Një çështje tjetër urgjente që duhet trajtuar është lufta e besueshme kundër korrupsionit, si dhe miratimi i një strategjie kundër korrupsionit, në përputhje me standardet evropiane. Sa u përket standardeve evropiane”, tha ai.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai theksoi se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë për një rajon më të qëndrueshëm.

Sipas tij, dialogu Prishtinë-Beograd mbetet pjesë e rëndësishme jo vetëm e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Schuebel: Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

“Së dyti, rindërtimi i besimit me komunitetin serb të Kosovës dhe zbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga dialogu mbeten pjesë thelbësore e rrugës evropiane të Kosovës. Dinamika e re rajonale kërkon që Kosova të përfitojë nga këto zhvillime, duke treguar hapje dhe, para së gjithash, durim strategjik. Duke parë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, BE-ja është pranë jush për të mbështetur përpjekjet tuaja dhe për të punuar së bashku drejt qëllimit tonë të përbashkët: një Kosovë të qëndrueshme, shumetnike dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian”, tha ai.

Schuebel: Mandati i Gjykatës Speciale duhet të respektohet

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka theksuar se mandati aktual i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohet, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Schuebel, në konferencën për media pas dorëzimit të raportit për Kosovën nënvizoi se respektimi i mandatit të Gjykatës Speciale duhet të shoqërohet me respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe parimeve të sundimit të ligjit.

Schubel: Mandati i Gjykatës Speciale duhet të respektohet

“Mandati aktual në fuqi i Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të respektohet, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe me respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit”, tha ai.

Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u ndërmor nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), më 21 shtator 2026, pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim.

Nisma synon rishikimin e mandatit dhe kompetencave të Speciales, kufizimin e dënimeve deri në 15 vjet dhe mundësinë e vuajtjes së tyre në Kosovë.

Ligji u miratua në Kuvend me 88 vota, por më 22 tetor Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu për rishqyrtim. Aktualisht, çështja mbetet në procedurë parlamentare.

Kurti pas pranimit të Raportit të Progresit: Kosova meriton statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik afatgjatë i Kosovës.

Pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, në një konferencë për media, Kurti ka theksuar se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk e pasqyron progresin që vendi ka arritur.

Ai ka ritheksuar rëndësinë e integrimit evropian si synim strategjik të Kosovës, duke nënvizuar se ky prioritet afatgjatë është theksuar edhe në raportin për vendin.

“Nuk mund ta lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë. Siç kemi nënvizuar në të gjitha takimet dhe vizitat, në të gjitha nivelet dhe rastet ku na është dhënë mundësia, në veçanti me presidentin Costa, pastaj presidentën von der Leyen, komisioneren Kos, kancelarin Merz, presidentin Macron dhe shumë udhëheqës të tjerë të shteteve anëtare, Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Kurti.

Kurti priti ambasadorin e BE-së, Dirk Schuebel, i dorëzohet Raporti i Progresit për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, shkruan “Bota sot”.

Haxhiu pranon Raportin e Progresit për Kosovën nga ambasadori i BE-së, diskutojnë reformat evropiane

Nga: A.M.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, shkruan “Bota sot”.

Gjatë takimit, Haxhiu dhe Schuebel kanë diskutuar për gjetjet e raportit, punën që e pret Kuvendin dhe hapat që duhet të ndërmerren në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se një ndër temat kryesore të diskutimit ka qenë përshpejtimi i reformave dhe përparimi në fushat ku janë evidentuar ngecje.

Ajo ka theksuar se rikthimi i Kuvendit në punë krijon mundësi për t'i dhënë një ritëm të ri procesit të reformave.

Postim i plotë:

Sot prita në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin diskutuam për Raportin e Komisionit Evropian dhe punën që kemi përpara në rrugën tonë drejt BE-së.

Tani që Kuvendi i është kthyer punës, kemi mundësinë t’i japim një ritëm të ri reformave dhe të shënojmë përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje.

Diskutuam veçanërisht për Agjendën e Reformave, Planin e Rritjes dhe rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve brenda afateve, si dhe për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shpreha gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Zyrës së BE-së, sidomos në procesin legjislativ dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave.

Rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon punë të vazhdueshme, përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Besoj se me bashkëpunim dhe me angazhim të përbashkët mund të shënojmë përparim të dukshëm në reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve tanë.

Presidentja Shiroka Pula pranon Raportin e Progresit për Kosovën nga ambasadori i BE-së

Nga: A.M.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, shkruan “Bota sot”.

Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve evropiane.

Ajo ka ritheksuar se Kosova është vend proevropian dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një synim strategjik i Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, Shiroka Pula ka vënë në pah rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, funksionimit demokratik të institucioneve dhe zbatimit të reformave që e afrojnë vendin me BE-në.

Nga ana tjetër, ambasadori i BE-së, Dirk Schuebel, e ka përgëzuar Presidenten për qasjen e saj konstruktive dhe përpjekjet për të kontribuar në frymën e bashkëpunimit dhe unitetit në skenën politike të Kosovës.

Ndërkaq, Presidentja Shiroka Pula ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me BE-në në avancimin e agjendës evropiane të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat