Betohen pjesëtarët e gjeneratës së 63-të të Policisë, 118 gra në mesin e tyre

Aktuale

Betohen pjesëtarët e gjeneratës së 63-të të Policisë, 118 gra në mesin e tyre

Nga: Bota sot Më: 6 nëntor 2026 Në ora: 17:26 Përditësuar në ora: 18:14 më 06.11.2026
Betohen pjesëtarët e gjeneratës së 63-të të Policisë

Betohen policët e rinj të Kosovës, gjenerata e 63-të e Policisë

Rreth 400 pjesëtarë të rinj të Policisë së Kosovës janë betuar sot gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 63-të.

Me këtë rast, kadetët kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë për t’i shërbyer vendit, për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike dhe për të zbatuar ligjin.

Në mesin e kësaj gjenerate janë edhe 118 vajza dhe gra, të cilat kanë zgjedhur t’i bashkohen Policisë së Kosovës.

Betimi:

“Unë, polic i Kosovës, betohem se do të zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës, do ta mbroj sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, do t’i bindem urdhrave të mbikëqyrësve të mi, do t’i kryej detyrat, duke treguar gjithnjë profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, gjinie, religjioni apo ngjyre.”

Momenti që preku të gjithë: Jetlum Bunjaku përqafohet me nënën në ceremoninë e diplomimit

Nga: A.M.

Emocione dhe krenari janë përcjellë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, ku një nga momentet më prekëse ishte përqafimi i Jetlum Bunjakut me nënën e tij.

Jetlum Bunjaku, djali i heroit Afrim Bunjaku, pas diplomimit si pjesëtar i ri i Policisë së Kosovës, është përqafuar me nënën e tij, në një moment të mbushur me emocione dhe krenari.

Ai është pjesë e rreth 400 pjesëtarëve të rinj që diplomuan sot në kuadër të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës.

Babai i tij, Afrim Bunjaku, ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023, gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke u bërë simbol i sakrificës dhe përkushtimit në shërbim të vendit.

Diplomimi i të birit, në radhët e institucionit për të cilin babai i tij dha jetën, i dha ceremonisë një dimension të veçantë emocional, duke e kthyer këtë moment në një nga pamjet më domethënëse të ditës.

​Kosova bëhet edhe me 397 policë të rinj, prej tyre 118 vajza dhe gra

Me ceremoni solemne u shënua diplomimi i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, duke përmbyllur kështu procesin e përgatitjes dhe trajnimit profesional të kadetëve të rinj, të cilët tashmë do t’i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.

Me këtë rast, u vlerësua se ky moment shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt shërbimit policor, me përgjegjësinë për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi rëndësinë historike të Policisë së Kosovës dhe përgjegjësinë që bartin pjesëtarët e saj në shërbim të qytetarëve dhe vendit.

Haxhiu: Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re

“Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re. Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, në kohën kur vendi ynë po niste ndërtimin e institucioneve të veta. Nga një shërbim policor i sapokrijuar, ajo u zhvillua në një institucion të rëndësishëm të Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësinë për rendin, sigurinë dhe më pas edhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, tha Haxhiu.

Ajo po ashtu theksoi rëndësinë e nderimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, duke përmendur Enver Zymberin, Afrim Bunjakun dhe të gjithë policët e rënë në shërbim të vendit.

Haxhiu u përcolli kadetëve edhe një mesazh për guximin, integritetin dhe përgjegjësinë që duhet ta karakterizojnë çdo pjesëtar të uniformës policore.

Haxhiu: Guximi i policit dëshmohet edhe kur duhet të mbrojë ligjin përballë të fuqishmëve

“Guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun. Guxim është edhe të veprosh drejt kur është më e lehtë të heshtësh, të mbrosh të dobëtin edhe kur përballë ke dikë të fuqishëm, si dhe të mbrosh ligjin edhe kur shkelja e tij vjen nga dikush që e njeh”, theksoi ajo.

Haxhiu vuri në dukje se në mesin e gjeneratës së re janë 118 vajza dhe gra, duke e vlerësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për institucionet e sigurisë në vend.

Haxhiu: 118 vajza e gra në Policinë e Kosovës, thirrje për mbrojtje më serioze të viktimave të dhunës

“Ne mesin tuaj janë 118 vajza dhe gra. Dua t’ju përgëzoj për këtë zgjedhje. Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë. Derisa shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës, fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre. Për shumë prej tyre, vendimi për ta denoncuar dhunën vjen pas një historie të gjatë kërcënimesh, kontrolli dhe frike. Ato e dinë se ekspozimi mund t’i vërë përballë një rreziku edhe më të madh. Prandaj, kur një grua u drejtohet institucioneve, rreziku duhet të vlerësohet me seriozitet dhe masat për mbrojtjen e saj duhet të ndërmerren me kohë”, tha Haxhiu.

Edhe kryeministri, Albin Kurti, tha se është lajm i mirë që edhe në këtë gjeneratë gratë po diplomohen në numër të konsiderueshëm.

Kurti: Lajm i mirë që edhe në këtë gjeneratë gratë po diplomohen në numër të konsiderueshëm

“Në këtë Gjeneratë të 63-të po diplomoni gjithsej 397 kadetë, prej tyre 118 gra dhe 279 burra. Pra, pothuajse çdo i treti pjesëtar është grua. Është lajm i mirë që edhe në këtë gjeneratë gratë po diplomohen në numër të konsiderueshëm. Nga momenti i betimit, secili prej jush do të jetë i gatshëm të punojë në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë u bëri thirrje kadetëve që të mos harrojnë dhe të nderojnë çdo ditë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke përmendur Enver Zymberin, Afrim Bunjakun dhe të gjithë heronjtë e tjerë.

Kurti: Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku janë busulla që duhet të orientojë angazhimin tuaj

“Secilën ditë mos harroni, por nderoni dhe kujtoni jetën dhe kontributin e heronjve të Policisë së Kosovës, si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë ata që ranë në krye të detyrës. Ata janë busulla që orienton angazhimin dhe përkushtimin tuaj. Në mesin tuaj gjenden edhe dy djemtë e heronjve tanë, Sokol Zymeri dhe Jetlum Bunjaku. Në gjurmët e prindërve të tyre, ata do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e vendit dhe zbatimin e ligjit. Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah”, deklaroi Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e vlerësoi diplomimin e gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës si një moment të rëndësishëm jo vetëm për kadetët e rinj, por edhe për institucionin policor dhe vendin.

Sveçla: Gjeneratës së 63-të i bashkohet një gjeneratë e re e gatshme për t’i shërbyer qytetarëve

“Diplomimi i Gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ju që po e përmbyllni këtë kapitull tuajin, por edhe për Policinë dhe për vendin tonë, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re, e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla theksoi gjithashtu rëndësinë e profesionalizmit, mundësive të barabarta dhe përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e institucioneve të sigurisë.

Sveçla: Gratë duhet të jenë pjesë e barabartë e udhëheqjes dhe përgjegjësisë institucionale

“Mënyra se si e ushtroni detyrën është po aq e rëndësishme sa rezultati që arrini. Në veçanti, dua t'u drejtohem vajzave që sot diplomojnë. Prania juaj në këtë gjeneratë dëshmon rëndësinë e mundësive të barabarta dhe të rolit që gratë duhet të kenë në të gjitha nivelet e institucioneve tona. Profesionalizmi, aftësia dhe përkushtimi duhet të jenë kriteret që përcaktojnë angazhimin dhe avancimin në karrierë, e jo gjinia apo paragjykimet. Gratë duhet të jenë pjesë e barabartë e udhëheqjes dhe përgjegjësisë institucionale”, tha Sveçla.

Sveçla premton mbështetje për Policinë, flet për rritjen e buxhetit në 173 milionë euro

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë Policinë e Kosovës, duke theksuar se as procedurat administrative e as ato të prokurimit nuk do ta pengojnë zhvillimin e institucionit.

Komentet e tij vijnë në kohën kur Policia e Kosovës është përballur me mungesë të uniformave për zyrtarët policorë.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të policëve të rinj, Sveçla tha se policët nuk do të jenë vetëm në ushtrimin e detyrës së tyre dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes institucionale.

“Dua t’ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë. Si Qeveri kemi mbështetur në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj”, tha Sveçla.

Ai bëri të ditur se buxheti për Policinë e Kosovës është rritur nga 109 në 173 milionë euro, ose rreth 60 për qind, ndërsa sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit për Policinë janë alokuar dhe shpenzuar gjithsej 732 milionë euro.

Duke iu referuar çështjes së furnizimit dhe procedurave të prokurimit, Sveçla u shpreh se ato nuk do ta pengojnë përkushtimin e Qeverisë ndaj Policisë.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative e të prokurimit që do ta ndalin përkushtimin tonë dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Sveçla shtoi se eprorët dhe menaxhmenti policor duhet të sigurohen që mbështetja e ofruar nga Qeveria të reflektohet në efikasitetin e punës së zyrtarëve policorë.

“Suksesi juaj në shërbim të qytetarëve është edhe përgjegjësi dhe synim i yni i përbashkët”, përfundoi ministri në detyrë.

Kurti emocionon me fjalët për djalin e Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut: Qeverinë do ta keni përherë përkrah

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së diplomimit kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, ka përmendur dy djemtë e heronjve Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, që janë pjesë e gjeneratës së 63-të.

Kurti tha se ata, duke ndjekur gjurmët e prindërve të tyre, do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit.

“Mes jush gjenden edhe dy djemtë e heronjve tanë, Sokol Zymberi dhe Jetlum Bunjaku.

Në gjurmët e prindërve të tyre, ata do të vazhdojnë angazhimin në ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, sepse vetëm kësisoj e fuqizojmë Republikën e Kosovës, si dhe sigurinë dhe paqen për të gjithë.

Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht, në nivel shumë më të lartë dhe të pakrahasueshëm me periudhat e mëparshme.”

Kurti me porosi për policët e rinj: Integriteti dhe profesionalizmi mbi të gjitha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës ku ka bërë të ditur se në këtë gjeneratë diplomojnë gjithsej 397 kadetë, prej tyre 118 gra dhe 279 burra.

Ai ka theksuar se shërbimi me integritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi duhet të jetë prioritet për secilin zyrtar policor.

“Përfaqësimi i këtij institucioni është ndër përgjegjësitë më të larta e cila mund dhe duhet t’ju besohet juve. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të mbetet përherë prioritet. E virtytet, ideali dhe disiplina sigurisht që u janë forcuar. Gjatë kësaj por juve ju keni kaluar në fazat e provave, sfidave, e të mënyrave se si duhet qasur secila situatë dhe menaxhuar çdo detyrë. Asnjëherë mos i harroni mësimet dhe udhëzimet të cilët do t’ju udhëheqin gjatë mandatit e shërbimit tuaj”, tha Kurti.

Ai ka përmendur edhe mbështetjen e Qeverisë për Policinë e Kosovës, duke thënë se në pesë vitet e fundit buxheti për këtë institucion është rritur për mbi 50 për qind.

Kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë ngritur dhe forcuar 20 stacione, objekte dhe baza policore në gjithë vendin.

“Qeverinë tonë do ta keni përherë përkrah. Mbështetjen për Policinë e Kosovës e kemi dëshmuar vazhdimisht, shumë më lart dhe pakrahasueshëm me periudhat e mëparshme, me buxhet të alokuar dhe jo vetëm. Në pesë vitet e fundit, përveç se është shtuar buxheti për Policinë e Kosovës për mbi 50%, i kemi 20 stacione, objekte dhe baza policore që janë ngritur dhe forcuar në gjithë veriun e vendit tonë. Policia e rendit është e pajisur me armë të gjata, të cilat më herët mungonin, dhe automjete e autoblinda të reja me blerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri  dhe angazhimi i policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në fshatrat Kalludër e vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut. Arritjet janë të shumta, por me ato nuk duhet, nuk bën të vetëkënaqemi”, potencoi ai.

LIVE: Diplomon gjenerata e 63-të e Policisë, Haxhiu: Keni përgjegjësinë për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përgëzuar gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, e cila diplomoi sot, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe respektimit të ligjit në ushtrimin e detyrës policore.

Në ceremoninë e diplomimit, Haxhiu tha se të diplomuarit po marrin përsipër një nga përgjegjësitë më të rëndësishme ndaj Republikës së Kosovës, mbrojtjen e sigurisë, jetës dhe të drejtave të qytetarëve.

"Ju po hyni në një me institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re. Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur vendi ynë po niste të ndërtonte institucionet e veta. Nga një shërbim policor i sapo krijuar, ajo u zhvillua në një institucion profesional të Republikës së Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha për rendin dhe sigurinë, e më pas edhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit", theksoi ajo.

Ajo rikujtoi sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke përmendur Enver Zymberin dhe Afrim Bunjakun.

Haxhiu theksoi se guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun, por edhe në veprimin e drejtë, mosshpërdorimin e autoritetit dhe mbrojtjen e ligjit pa dallim.

Ajo veçoi edhe pjesëmarrjen e grave në këtë gjeneratë, duke bërë të ditur se në mesin e të diplomuarve janë 118 vajza dhe gra. Me këtë rast, Haxhiu foli edhe për përgjegjësinë e Policisë në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke kërkuar që denoncimet të merren seriozisht dhe masat mbrojtëse të ndërmerren me kohë.

"Në mesin tuaj sot janë 118 vajza dhe gra që kanë zgjedhur t'i shërbejnë vendit përmes Policisë së Kosovës. Dua t'ju përgëzoj veçanërisht për këtë zgjedhje. Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë. Por, derisa gjithnjë e më shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës, madje fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre", pohoi Haxhiu.

Sipas saj, Kosova ka nevojë për një polici të fuqishme, profesionale dhe të pajisur me teknologji bashkëkohore, për t'iu përgjigjur sfidave të sigurisë, përfshirë krimin kibernetik, krimin e organizuar dhe trafikimin me qenie njerëzore.

Kryetarja e Kuvendit siguroi se fuqizimi i institucioneve të sigurisë, përmirësimi i kushteve të punës dhe mbikëqyrja demokratike do të vazhdojnë të jenë pjesë e përgjegjësive institucionale.

Në fund, Haxhiu u bëri thirrje kadetëve që uniformën e policisë ta përfaqësojnë me dinjitet dhe të fitojnë besimin e qytetarëve përmes punës së tyre të përditshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat