Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pretendon se vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë nuk mund të jetë realizuar pa dijeninë e institucioneve të sigurisë. "Është miratuar në heshtje kjo vizitë", tha Haradinaj në emisionin "Debat Plus" në TV Dukagjini, të martën në mbrëmje.
"E dinin ku do të shkonin"
Sipas Haradinajt, institucionet e sigurisë kishin informacion për hyrjen, lëvizjet, kohëzgjatjen dhe largimin e delegacionit, dhe vizita është përcjellë me monitorim sigurie. Ai vuri në pikëpyetje faktin që përfaqësuesit e Listës Studentore kanë lëvizur lirshëm nëpër Kosovë, duke përfshirë edhe Deçanin. Sipas tij, atje ata kanë bërë përshëndetjen me tre gishta dhe kanë thirrur se Kosova është zemra e Serbisë.
Haradinaj kritikoi edhe trajtimin e delegacionit si qytetarë të zakonshëm. Sipas tij, kjo është e papranueshme për përfaqësues të një liste që sapo ka fituar zgjedhjet në Beograd dhe që deklaron publikisht se nuk do ta njohë Kosovën.
Përgjigjja e MPJD-së
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje për Dukagjinin, ka bërë të ditur se nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare nga përfaqësuesit e Listës Studentore dhe nuk ka lëshuar miratim për një vizitë të tillë.
Sipas MPJD-së, meqë ata ende nuk mbajnë funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Kosovë janë realizuar si qytetarë të zakonshëm. Kjo është bërë sipas procedurave të përgjithshme për shtetasit e Serbisë.
Pas vizitës, kandidati i Listës Studentore, Fegja Dimoviq, e ka cilësuar Kosovën pjesë përbërëse të Serbisë. Vizita është bërë temë diskutimi edhe në Komisionin parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje.