Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.
Në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, Gashi falënderoi opozitën për iniciativën e mbajtjes së kësaj seance, duke e cilësuar debatin si një mundësi të mirë për të diskutuar një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës - integrimin evropian.
Ajo tha se kjo seancë është gjithashtu mundësi për të prezantuar sukseset dhe përparimin e Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Edhe pse raporti në një pjesë të madhe konstatoi se s’është bërë progres, Gashi tha se përparimi është “i pamohueshëm”.
Ajo theksoi se integrimi evropian mbetet orientim strategjik dhe angazhim i përbashkët, për të cilin, sipas saj, nuk duhet të ketë dallime politike.
“Integrimi evropian mbetet orientimi ynë strategjik dhe angazhim i përbashkët. Nuk besoj se për këtë çështje ka dallime politike”, ka deklaruar ajo,.