APK lanson të hënën Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030

Aktuale

APK lanson të hënën Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030

Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 17:19
Pamje nga takimi

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) do të lansojë të hënën Kornizën Zhvillimore Strategjike 2026-2030, dokumentin që përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet strategjike për vitet e ardhshme, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit.

Lansimi i kësaj Kornize vjen në një periudhë kur edhe Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026 vlerëson zhvillimet pozitive në punën e APK-së, duke veçuar qasjen pro-aktive të Agjencisë dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit.

Ndër rezultatet e evidentuara janë rritja prej 91,7 për qind e raportimeve të sinjalizimit të jashtëm në vitin 2025, krahasuar me vitin paraprak, miratimi i planeve të integritetit nga 91,4 për qind e institucioneve, si dhe përmbushja në kohë e detyrimit për deklarimin e pasurisë nga 99 për qind e zyrtarëve.

Në kuadër të aktivitetit, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, do të bëjë një prezantim të shkurtër të Kornizës, duke paraqitur vizionin, objektivat strategjike dhe prioritetet zhvillimore për periudhën 2026–2030.

Një pjesë e rëndësishme do t'i kushtohet edhe panelit të diskutimit me temën: “Rëndësia e planifikimit strategjik në forcimin e institucioneve për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, ku do të marrin pjesë përfaqësues të nivelit drejtues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, UNDP-ja, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ambasadat, institucionet kryesore vendore, përfshirë Administratën Tatimore të Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Diskutimi do të trajtojë rëndësinë e planifikimit strategjik, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, si dhe rolin e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë në mbështetjen e këtij procesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat