Qeveria ndalon tregtimin e energjisë me kompanitë serbe, shpall masa emergjente dhe merr disa vendime të reja

Aktuale

Qeveria ndalon tregtimin e energjisë me kompanitë serbe, shpall masa emergjente dhe merr disa vendime të reja

Nga: Bota sot Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 07:58 Përditësuar në ora: 13:31 më 16.11.2026
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria ndaloi tregtimin e energjisë me ndërmarrjet e lidhura me Serbinë, ja vendimet e tjera të mbledhjes

Nga: A.M.

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e njëmbëdhjetë, ku ka marrë një sërë vendimesh në sektorin e energjisë, si dhe ka miratuar disa projektligje e marrëveshje ndërkombëtare. Në fokus të mbledhjes ishte vendimi për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet që kanë lidhje pronësore apo afariste me Serbinë, shpallja e masave emergjente për furnizimin me energji për 60 ditë dhe obligimi i vendosur ndaj KEK-ut për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.

Po ashtu, ekzekutivi miratoi projektligje për ratifikimin e disa konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë ato për bashkëpunimin në hetimin dhe ndjekjen e krimeve ndërkombëtare, ekstradimin dhe ndihmën e ndërsjellë juridike me Francën. Në mbledhje u miratuan edhe projektligje që lidhen me sigurimin e depozitave, luftimin e dukurive negative në sport, si dhe një koncept-dokument për identitetin digjital, përcjell “Bota sot”.

Njoftimi i plotë

Mbledhja e njëmbëdhjetë (11) e Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 16 nëntor 2026

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka:

- Miratuar vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike, me ndërmarrjet e identifikuara sipas këtij propozimi duke përfshirë blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt ose përmes tranzitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta. Përmes këtij vendimi obligohet Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që brenda afatit ligjor, në bazë të të dhënave të regjistrimit të bizneseve, përfshirë të dhënat për pronësinë dhe pronarët përfitues, të identifikojë ndërmarrjet e regjistruara me veprimtari kryesore ose dytësore në sektorin e energjisë elektrike. Ky identifikim do të përfshijë kategoritë e mëposhtme të ndërmarrjeve:

2.1. kanë ndërmarrje amë, të drejtpërdrejtë ose përfundimtare, të regjistruar në Serbi;

2.2. janë degë ose njësi organizative të ndërmarrjeve të regjistruara në Serbi;

2.3. kanë lidhje direkte apo indirekte me persona fizikë ose persona juridikë të regjistruar në Serbi.

Përjashtimisht, ndalimi i përcaktuar me këtë Vendim nuk zbatohet për transaksionet dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë elektrike që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit për Energjinë e vitit 2013, Konkluzionet e Lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015, si dhe Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i datës 21 qershor 2022.

  • Miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, të vlefshme për periudhën prej gjashtëdhjetë ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

 

  • Miratuar vendimin për vendosjen e obligimin e shërbimit publik ndaj KEK-ut për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit. Përmes këtij vendimi Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.A. (KEK) i vendoset obligimi i shërbimit publik për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit në funksion të adresimit të mungesës së prodhimit të planifikuar nga njësia B1 e Termocentralit “Kosova B”.
  • Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës.
  • Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen e Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare.
  • Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare.
  • Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
  • Miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mbi Ekstradimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës.
  • Miratuar Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës.
  • Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Racionalizimin dhe Vendosjen e Vijave Llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive, qëllimi i të cilit është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për racionalizimin dhe vendosja e vijave llogaridhënëse të institucioneve qendrore dhe/apo njësive rajonale, në funksion të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies dhe administrimit më të mirë të qendrave rajonale dhe konsolidimit të sistemit ministror.
  • Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-216 mbi Themelimin e Sistemit për Sigurimin e Depozitave për Institucionet Financiare në Kosovë, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-133. Projektligji forcon mbrojtjen e depozitorëve dhe stabilitetin financiar. Ai përditëson rregullat e kompensimit, financimit dhe administrimit të Fondit të Sigurimit të Depozitave të Kosovës (FSDK), si dhe të pjesëmarrjes së tij në përmbylljen e bankave në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK). Zbatohet për institucionet financiare që pranojnë depozita dhe që duhet të kenë sigurim të depozitave.
  • Miratuar Projektligjin Kundër Dukurive Negative në Sport, i cili ka për qëllim zhvillimin e sportit dhe organizimin e ngjarjeve sportive në një ambient sportiv të sigurt, të barabartë për të gjithë, dhe të lirë nga dhuna dhe dukuri tjera negative, duke ofruar standarde të larta të rendit, sigurisë dhe shërbimeve në ngjarjet sportive, si dhe zhvillimin dhe promovimin e këtyre standardeve në përputhje me vlerat qenësore dhe parimet e sportit.
  • Miratuar Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Emergjencat dhe Monitorimin Radiologjik, e cila përcakton menaxhimin e emergjencave radiologjike, situatave të ekspozimit, monitorimin radiologjik të mjedisit dhe ujit të pijshëm. Objektivë kryesore e kësaj Rregulloreje është krijimi i bazës ligjore për transpozimin e legjislacionit të BE për mbrojtje nga rrezatimi dhe sigurisë bërthamore, si dhe përcaktohen masat mbrojtëse për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe mjedisit nga efektet negative të materialeve radioaktive natyrore.
  • Miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 04/L-064 për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
  • Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 15/158 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 29 nëntor 2013, përmes të cilit ndryshohet dhe plotësohet Aneksi 1 i këtij vendimi në raport me shtetasit e Belizesë, për të cilët vendoset regjimi i vizave për hyrje në Republikën e Kosovës.
  • Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 1,375,726.22 € (një milion e treqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e njëzet e gjashtë euro e njëzet e dy centë), për realizimin e projektit “Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit”, përmes Klauzolës së Investimeve, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare që rrjedhin nga punët e realizuara, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.
  • Miratuar Kërkesën e Komunës së Fushë Kosovës për transferimin e mjeteve në shumë prej 406,000.00 € (katërqind e gjashtë mijë euro) përkatësisht transferimi deri në 25% të ndarjes së ndikuar negativisht.
  • Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për zbatimin e Masës 3.8 - Bursa e Mobilitetit për Studentë të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
  • Miratuar Koncept-dokumentin për Identifikimin Elektronik, Shërbimet Besuara dhe Kuletën e Identitetit Digjital, përmes së cilit synohet avancimi i kornizës ligjore për këto shërbime, përmes hartimit të një ligji të ri të përafruar me rregulloren evropiane eIDAS 2.0.

Çfarë paralajmëroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë? Ky ishte adresimi i tij i plotë

Nga: A.M.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 11-të të Qeverisë ka folur për vizitat e tij zyrtare në Paris dhe Dublin, takimet me liderë ndërkombëtarë dhe rrugëtimin evropian e euroatlantik të Kosovës.

Në adresimin e tij, Kurti ka paralajmëruar edhe tri vendime në sektorin e energjisë, përfshirë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe dhe masat emergjente për furnizim me rrymë, përcjell “Bota sot”.

Ai ka përshëndetur gjithashtu dekretimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga presidentja Justina Shiroka Pula.

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 11-të të Qeverisë

Prishtinë, 16 nëntor 2026

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,

Të dashur qytetarë,

Javën e kaluar ishim për vizita zyrtare në Paris për Forumin e Paqes atje dhe në Dublin për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ditë të dendura me më shumë se tridhjetë takime, pritje, bashkëbisedime, diskutime e aktivitete të ndryshme, prej tyre tetë me krerë shtetesh (presidentë e kryeministra), pastaj me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Ndërkaq, pjesa tjetër, jo më pak të rëndësishme, për arsimin, shkencën, kulturën e sportin, teknologjinë dhe inovacionin.

Në kryeqytetin e Francës, u pritëm dy herë në Pallatin Élysée, së pari në mbrëmjen e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, e të nesërmen në takim bilateral. Me pritje u nderuam edhe nga presidenti i Senatit, Gérard Larcher, sikur edhe në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, ku bashkëbiseduam me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të atij për Çështje Evropiane. Gjithashtu, pata takime me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire

Në Forumin e Paqes mora pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After Ëar”. Pra, ta bësh paqen të qëndrueshme, rindërtimi i shoqërive pas luftës. Në Samitin e Fëmijëve, që u lansua aty, si shtet iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të gjeneratave të reja dhe të ardhmes në përgjithësi. Edukimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë gjithnjë e më të gjatë para ekraneve, sigurisht që janë jetike.

Në kryeqytetin e Irlandës, në nisje të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) u prita nga Taoiseach, kryeministri, Micheál Martin. Pastaj nga ministrja e Jashtme, Helen McEntee. Gjithashtu, u takova e bisedova me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham; të Kanadasë, Mark Carney; të Hungarisë, Péter Magyar; kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen; presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin; si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte; e atë të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Ndërkaq, në Parlamentin e Republikës së Irlandës u pritëm nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.

Në të dyja këto vizita, e në të gjitha rastet, theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike.

Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Republikës Çeke, e cila atëbotë mbante presidencën e Bashkimit Evropian. Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa arritja në cak, meqenëse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet.

Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën. Ndërkaq, pranimi në Këshillin e Evropës, mes tjerash, do t’i mundësonte shtetit tonë pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve të Republikës sonë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Në këtë mbledhje do të kemi edhe tri vendime të rëndësishme që lidhen me sektorin e energjisë.

 

Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në ardhmen nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t'u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkoneksionit 400 kË dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik.

Të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar, të dashur qytetarë të Republikës

Pas shumë përpjekjesh tona, përballë një serie kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Urime të gjithëve! Dhe, le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë për drejtësi e barazi.

​Qeveria miraton marrëveshjen e ekstradimit me Francën, rikthen vizat për shtetasit e Belizesë dhe vazhdon bursat për studentët

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi i ka dhënë dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së ndërsjellë juridike ndërmjet dy vendeve.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se marrëveshja për ekstradim paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit juridik me Francën.

Sipas tij, marrëveshja krijon një bazë ligjore për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale apo për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga organet e drejtësisë.

Ahmeti: Marrëveshja për ekstradim me Francën thellon bashkëpunimin juridik mes dy vendeve

“Ky akt shënon një hap të rëndësishëm të një bashkëpunimi juridik me një nga partnerët tanë kyç evropianë. Përmes kësaj marrëveshjeje, ne vendosim një bazë të qartë dhe të qëndrueshme ligjore për ekstradimin e personave të kërkuar, qoftë për ndjekje penale apo për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga organet e drejtësisë. Marrëveshja përcakton veprat penale për të cilat lejohet ekstradimi, kushtet dhe procedurat e dorëzimit, si dhe rastet e dorëzimit të tij”, tha ai.

Krahas kësaj, Qeveria ka miratuar vendosjen e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë, duke e larguar këtë shtet nga lista e vendeve të përjashtuara nga ky regjim.

Ahmeti tha se kjo masë është pjesë e përafrimit gradual të politikës së vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së angazhimeve të vitit 2026 në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes.

Sipas tij, përmbushja e këtij hapi reformues lidhet me përfitimin e 6.26 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

Qeveria e Kosovës rikthen regjimin e vizave për këtë shtet

“Vendosja e regjimit të vizave për shtetasit e Belizesë dhe heqja e këtij shteti nga lista e vendeve të përjashtuara nga ky regjim. Ky propozim është pjesë e përafrimit gradual të politikës së vizave të Kosovës me atë të BE-së. Me këtë masë përmbushim angazhimin për vitin 2026 në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për përfundimin e regjimit të vizave për të paktën një shtet që BE-ja kërkon vizë. Përmbushja e këtij hapi reformues lidhet me përfitimin e 6.26 milionë eurove në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje”, potencoi Ahmeti.

Ndërkaq, në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar edhe vazhdimin e zbatimit të Masës 3.8, “Bursa e Mobilitetit për Studentë”, pjesë e Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, tha se skema do të vazhdojë t'i mbështesë studentët, ndërsa ndarja e bursave do të bëhet duke marrë parasysh distancën gjeografike nga institucioni i arsimit të lartë. Në materialin e prezantuar është përmendur se nga kjo skemë përfitojnë 8 mijë e 200 studentë.

Kryeziu vlerësoi se vazhdimi i kësaj mase u garanton studentëve siguri dhe stabilitet financiar gjatë vitit akademik.

Mbështetja ndaj studentëve, Qeveria pritet të marrë këtë vendim

“Vijuar më tutje në përcaktimin e kushteve dhe kritereve për shpalljen e kësaj skeme. Kjo masë do të vazhdojë t'i mbështesë studentët në mënyrë të drejtë, bazuar në distancën gjeografike deri te institucioni i arsimit të lartë. Vazhdimi i saj u garanton studentëve siguri dhe stabilitet financiar gjatë vitit akademik”, theksoi Kryeziu.

Krahas këtyre vendimeve, Qeveria ka miratuar edhe katër projektligje të tjera të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që kanë të bëjnë me ratifikimin e konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Marrëveshjen për Zgjedhjen e Gjykatës të vitit 2005, Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës/Hagës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të tjera Ndërkombëtare.

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Konventës së Hagës për Aktgjykimet të vitit 2019, që rregullon njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare, si dhe Projektligji për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes për statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

​Miratohet Projektligji kundër Dukurive Negative në Sport

Projektligji kundër Dukurive Negative në Sport është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pa asnjë votë kundër.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, gjatë prezantimit të projektligjit para kabinetit qeveritar, tha se qëllimi i tij është krijimi i ambienteve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë në sport.

Ai theksoi se projektligji obligon strukturat sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin, luftimin dhe sanksionimin e dhunës, si dhe dukurive të tjera negative në sport.

Gashani: Projektligj obligon strukturat sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin e dhunës në sport

“Më lejoni që ta paraqet para jush për miratim Projektligjin kundër Dukurive Negative në Sport i cili ka për qëllim zhvillimin e sportit dhe organizimin e ngjarjeve sportive në ambiente të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta për të gjithë. Ky projektligj obligon struktura sportive që të zbatojnë rregullat për parandalimin, luftimin dhe sanksionimin e dhunës si dhe dukurive të tjera në sport si dhe garantimin e standarteve të larta të rendit, sigurisë dhe shërbimeve gjatë organizimit dhe zhvillimit të ngjarjeve sportive. Gjithashtu parasheh mekanizma për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve, masa mbrojtëse dhe sanksione për mosrespektimin e detyrimeve ligjore”, tha Gashani.

Ministri shtoi se vëmendje e veçantë i kushtohet edhe promovimit të kulturës sportive, respektimit të vlerave dhe parimeve themelore të sportit, si dhe forcimit të standardeve për zhvillimin e përgjegjshëm të aktiviteteve sportive.

Gashani: Këto masa ndikojnë në reduktimin e dukurive negative në sport

“Vëmendje e veçantë i kushtohet poashtu promovimit të kulturës sportive të bazuar në respektimin e vlerave dhe parimeve themelore të sportit si dhe forcimi i standarteve që mundësojnë zhvillimin e rregullt dhe të përgjegjshëm të veprimtarive sportive. Vlerësojmë se masat e parapara me këtë projektligj do të ndikojnë drejtpërdrejtë në parandalimin dhe reduktimin e dukurive negative”, tha Gashani.

Projektligji parasheh mekanizma për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve, masa mbrojtëse dhe sanksione për strukturat që nuk i përmbushin detyrimet e përcaktuara me ligj.

​Qeveria miraton ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.

Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë tranzitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës.

Ai ka theksuar se këto linja nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të lirë të energjisë elektrike nga vendet e tjera.

Kurti: Bllokimi i dy linjave të interkoneksionit nga Serbia pamundëson tranzitin e energjisë nga shtetet e tjera

Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë tranzit nga shtetet tjera. Pra dy linjat të interkonjeksionit 400 kilovolshe të cilat i ka bllokuar Serbia neve nuk na duhen të hapura në mënyrë që të importojmë prej saj, por, në mënyrë që ato të shfrytëzohen për tranzit, për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike, e cila me bllokimin e Serbisë e ka fituar një mur në vend të telave të shpërndarjes. E si rezultat i këtij bllokimi të Serbisë përgjatë viteve ka pasur ditë kur mbingarkesa në linjat me shtetet tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar rritje marramendëse çmimesh, saqë me 14 dhe 20 janar të këtij viti ishte pamundësuar sigurimi i energjisë së mjaftueshme, duke e detyruar KOSTT-in të aplikojë reduktime në furnizim me energji elektrike. Që nga marrja e detyrës në mandatin e mëhershëm, në mars të vitit 2021, kemi bërë çdo përpjekje që të sigurojmë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ushtruar presion ndaj Serbisë për t'i liruar linjat. Përfundimisht, në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka vërtetuar shkeljen e traktatit të komunitetit nga Serbia dhe e ka detyruar atë të lirojë linjat më së largu deri më 1 korrik 2026”, tha Kurti.

Ai ka bërë të ditur se në këtë fazë do të përjashtohet furnizuesi i themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Megjithatë, Kurti ka paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim nga autoritetet e Serbisë, Qeveria mund të përshkallëzojë masat, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së këtij furnizuesi dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.

Kurti:Sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi

“Deri më 1 korrik 2026, e tash që po flasim, është 16 nëntor 2026. Pasi as kjo nuk ka ndodhur. Janë bërë 4 muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër, që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje. Duke parë që as kjo përpjekje nuk ka sjellur rezultate, ne sot po ndërmarrim kundërmasa ligjore për të ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me ndërmarrje të regjistruara në Serbi ose që kanë pronarë me shtetësi të Serbisë. Në këtë fazë, përjashtim do të bëhet për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji. Megjithatë, Ministria e Ekonomisë obligohet që ta përcjellë situatën dhe, nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e autoriteteve të Beogradit zyrtar, në të ardhmen do të konsiderojmë përshkallëzimin e masave, duke përfshirë edhe masa që do të mund të prekin edhe këtë furnizues, si dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energji”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Fatban Bunjaku, ka paraqitur arsyetimin e propozim-vendimit, duke thënë se pengesat nga Serbia janë të pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT filloi operimin si zonë e veçantë kontrolli.

Sipas tij, operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të linjave të interkoneksionit.

Bunjaku: Serbia po bllokon deri në 600 megavat kapacitete të transmetimit të energjisë elektrike që nga viti 2020

“Kjo sfidë është e pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT-i kishte filluar operimin si zonë e veçantë kontrolli. Që nga ajo kohë, Serbia, përmes operatorit të sistemit të transmetimit të saj, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të interkoneksioneve. Si rezultat, mbeten të pashfrytëzuara kapacitete transmetuese deri në 600 megavat, duke kufizuar tregtinë ndërkufitare të energjisë elektrike dhe duke rritur presionin mbi kapacitetet e importit nga vendet tjera fqinje. Këtë çështje, institucionet publike të Kosovës, përkatësisht KOSTT-i, e kishin adresuar që në shkurt të vitit 2021 pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Ankesa e paraqitur nga Kosova u konfirmua si e bazuar nga Këshilli Ministror përmes vendimit 202502MC-ENC të datës 18 dhjetor 2025, me të cilin u konstatua se Serbia kishte shkelur detyrimet që rrjedhin nga ankthi i Komunitetit të Energjisë dhe nenet 6, 10 dhe 11 të traktatit. Për më tepër, përmes këtij vendimi, Këshilli Ministror kishte kërkuar nga Serbia korrigjimin e menjëhershëm të shkeljes, duke paraparë gjithashtu inicimin e procedurës sipas nenit 92 të traktatit, në rast se shkelja nuk korrigjohej deri më 1 korrik 2026”, tha Bunjaku.

Ai ka theksuar se ankesa e Kosovës ishte konfirmuar si e bazuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, përmes vendimit të 18 dhjetorit 2025, ndërsa Serbia nuk i ka ndërmarrë masat korrigjuese brenda afatit të përcaktuar.

Sipas propozim-vendimit, kundërmasat përfshijnë ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara me origjinë nga Serbia, qoftë drejtpërdrejt, përmes transitit apo rishitjes.

Bunjaku: Serbia nuk i zbatoi masat për lirimin e linjave, propozojmë ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe

“Serbia nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme korrigjuese dhe pengesat vazhdojnë të jenë të pranishme. Kjo çështje është evidentuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2026, ku theksohet se mosalokimi i kapaciteteve ndërkufitare ndikon negativisht në sigurinë e furnizimit, konkurrencën dhe çmimet e importit të energjisë elektrike. Në të njëjtin raport, Komisioni Evropian për Serbinë për vitin 2026 evidenton se operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, ende nuk ka alokuar kapacitete për tregtimin e energjisë elektrike me të gjitha interkoneksionet, përfshirë ato me Kosovën. Prandaj, nga sa më lart, duke marrë parasysh situatën e krijuar, bllokimet e vazhdueshme dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme dhe korrigjuese nga Serbia, MINT, në mbështetje të nenit 92, paragrafi 4, dhe nenit 93, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 7, paragrafi 3 të ligjit numër 08/L-021 për tregti me jashtë, si dhe ligjeve dhe rregulloreve të tjera përkatëse, propozon sot miratimin e vendimit për vendosjen e kundërmasave ndaj ndërmarrjeve të identifikuara me origjinë nga Serbia. Këto kundërmasa përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrje të identifikuara me origjinë nga Serbia përkatësisht blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit ose rishitjes”, nënvizoi Bunjaku.

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 11-të të Qeverisë

Javën e kaluar ishim për vizita zyrtare në Paris për Forumin e Paqes atje dhe në Dublin për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ditë të dendura me më shumë se tridhjetë takime, pritje, bashkëbisedime, diskutime e aktivitete të ndryshme, prej tyre tetë me krerë shtetesh (presidentë e kryeministra), pastaj me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Ndërkaq, pjesa tjetër, jo më pak të rëndësishme, për arsimin, shkencën, kulturën e sportin, teknologjinë dhe inovacionin.

Në kryeqytetin e Francës, u pritëm dy herë në Pallatin Élysée, së pari në mbrëmjen e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, e të nesërmen në takim bilateral. Me pritje u nderuam edhe nga presidenti i Senatit, Gérard Larcher, sikur edhe në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, ku bashkëbiseduam me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të atij për Çështje Evropiane. Gjithashtu, pata takime me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire.

Në Forumin e Paqes mora pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”. Pra, ta bësh paqen të qëndrueshme, rindërtimi i shoqërive pas luftës. Në Samitin e Fëmijëve, që u lansua aty, si shtet iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të gjeneratave të reja dhe të ardhmes në përgjithësi. Edukimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë gjithnjë e më të gjatë para ekraneve, sigurisht që janë jetike.

Në kryeqytetin e Irlandës, në nisje të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) u prita nga Taoiseach, kryeministri, Micheál Martin. Pastaj nga ministrja e Jashtme, Helen McEntee. Gjithashtu, u takova e bisedova me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham; të Kanadasë, Mark Carney;  të Hungarisë, Péter Magyar; kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen; presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin; si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte; e atë të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Ndërkaq, në Parlamentin e Republikës së Irlandës u pritëm nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.

Në të dyja këto vizita, e në të gjitha rastet, theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike.

Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Republikës Çeke, e cila atëbotë mbante presidencën e Bashkimit Evropian. Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa  arritja në cak, meqenëse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet.

Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën. Ndërkaq, pranimi në Këshillin e Evropës, mes tjerash, do t’i mundësonte shtetit tonë pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve të Republikës sonë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Të dashur qytetarë,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Në këtë mbledhje do të kemi edhe tri vendime të rëndësishme që lidhen me sektorin e energjisë.

Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në ardhmen nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t'u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkoneksionit 400 kW dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik.

Të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar, të dashur qytetarë të Republikës

Pas shumë përpjekjesh tona, përballë një serie kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Urime të gjithëve! Dhe, le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë  për drejtësi e barazi.

E pa humbur kohë le të fillojmë me agjendën për sot, e cila përmban gjithsej 20 pika.

​Qeveria shpall masa emergjente për furnizimin me energji elektrike, për 60 ditë

Qeveria e Kosovës ka vendosur shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, për një periudhë prej 60 ditësh. Vendimi parasheh shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit, kursimin e energjisë nga institucionet publike dhe masa të tjera për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për qytetarët dhe ekonominë. Për hyrjen në fuqi të këtyre masave vendimi duhet të kalojë edhe në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, tha se situata energjetike është vështirësuar për shkak të kufizimeve në kapacitetet prodhuese vendore dhe bllokimit të linjave të transmetimit të energjisë elektrike nga Serbia.

Kurti tregon arsyet për shpalljen e masave emergjente për energjinë elektrike

“Kosova, me kufizimet e kapaciteteve prodhuese vendore dhe bllokimin e linjave të transmetimit të energjisë elektrike nga ana e Serbisë, natyrisht se e ka situatën të vështirësuar. Prandaj, Ministria e Ekonomisë ka propozuar shpalljen e masave emergjente të energjisë për një periudhë dymujore, përkatësisht prej gjashtëdhjetë ditësh. Këto masa përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të Hidrocentralit të Ujmanit për konsumatorët e shërbimit universal, ndërmarrjen e masave për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet publike dhe masa të tjera që Qeveria mund të ndërmarrë sipas nevojës. Qëllimi ynë është të shfrytëzojmë në mënyrë sa më efikase kapacitetet ekzistuese dhe të zvogëlojmë rreziqet për furnizimin e qëndrueshëm të qytetarëve dhe ekonomisë sonë”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sqaroi se Hidrocentrali i Ujmanit do të obligohet të prodhojë energji në periudhat kur kërkesa për konsum është më e lartë dhe atë t'ia shesë furnizuesit të shërbimit universal. Ajo bëri të ditur se do të themelohet edhe një komitet teknik emergjent, i cili do të monitorojë situatën dhe do t'i propozojë Qeverisë masa shtesë.

Këto janë masat emergjente për furnizim me energji elektrike

“Duke marrë parasysh këta faktorë dhe, në anën tjetër, vazhdimin e bllokimit të linjave nga ana e Serbisë, propozojmë shpalljen e masave emergjente që përfshijnë marrjen e disa masave të menjëhershme. Siç janë obligimi i Hidrocentralit të Ujmanit që të prodhojë në kohën kur kërkesa është më e lartë dhe t'ia shesë atë furnizuesit të shërbimit universal për qytetarët dhe ndërmarrjet mikro dhe të mesme. Po ashtu, parashihet themelimi i komitetit teknik emergjent, që monitoron situatën dhe propozon masa të tjera që mund t'i marrë Qeveria. Vendimi po ashtu obligon të gjitha institucionet publike të marrin masa për kursimin e energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.

Rizvanolli foli edhe për vonesat në rikthimin në operim të njësisë B1 të Termocentralit Kosova B. Sipas saj, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, në cilësinë e autoritetit kontraktues të projektit për riinstalimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e oksideve të azotit, ka njoftuar për vonesa në realizimin e punimeve. Rikthimi i kësaj njësie në operim ishte planifikuar për 25 nëntor, sipas kontratës mes BE-së dhe kompanisë kontraktuese.

Rizvanolli tregon arsyet e vonesave të rikthimit në operim të njësisë B1 të Termocentralit Kosova B

“Javën e kaluar, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, në cilësinë e autoritetit kontraktues të projektit të riinstalimit të elektrofiltrave dhe reduktimit të oksideve të azotit në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B, ka njoftuar se aty pritet të ketë vonesa në realizimin e punimeve, përderisa data e planifikuar për rikthim në operim ka qenë 25 nëntori, sipas kontratës mes BE-së dhe kontraktorit”, theksoi Rizvanolli.

Krahas masave emergjente, Qeveria ka marrë vendim edhe për vendosjen e obligimit të përkohshëm të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike.

Ministrja Rizvanolli tha se kjo masë synon të parandalojë rritjen e mundshme të kostove të kapaciteteve ndërkufitare, veçanërisht në periudhat kur ka kongjestion në linjat e transmetimit.

Sipas saj, KEK-u do të obligohet të sigurojë të drejtat e përdorimit të një sasie të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit për periudhën nga 1 deri më 31 dhjetor 2026.

Qeveria obligon KEK-un për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike

“Do të merret një masë parandaluese, duke marrë parasysh se gjatë viteve të kaluara kemi parë që gjatë periudhave kur ka kongjestion në linjat e tjera, përveç linjave me Serbinë që janë të bllokuara, rritet ngarkesa tej mase dhe çmimet e kapaciteteve ndërkufitare për tregtim të energjisë rriten dhe mund të arrijnë nivele të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, si masë parandaluese, propozojmë që KEK-ut t'i vendoset një obligim i përkohshëm i shërbimit publik, që KEK-u të obligohet të sigurojë të drejtat e përdorimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, më saktësisht një sasi të tyre, në periudhën nga 1 dhjetori deri më 31 dhjetor 2026”, përfundoi ajo.

Kurti përshëndet dekretimin e Ligjit për Byronë, paralajmëron kapitull të ri për drejtësi dhe barazi

Nga: B.S.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur dekretimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe barazisë.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se miratimi dhe dekretimi i ligjit vijnë pas përpjekjeve të shumta dhe pengesave me të cilat, sipas tij, është përballur iniciativa për themelimin e Byrosë, transmeton "Bota sot".

Ai theksoi se presidentja e ka dekretuar ligjin javën e kaluar, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm pas kundërshtimeve të përsëritura.

“Pas shumë përpjekjesh tona përballë një serie e kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi, Presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, deklaroi Kurti.

Kreu i Qeverisë u shpreh se ky zhvillim mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për vendin, duke uruar që mekanizmi i ri t'i shërbejë drejtësisë dhe barazisë.

“Urime të gjithëve dhe le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë për drejtësi dhe barazi”, tha ai.

Ligji për Byronë Shtetërore parasheh krijimin e një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Dekretimi i tij shënon një hap në procesin e krijimit të këtij mekanizmi, i cili synon të trajtojë pasurinë për të cilën nuk mund të dëshmohet prejardhja e ligjshme.

​Kurti flet për vizitat në Paris dhe Dublin, kërkon përshpejtimin e integrimit evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për pjesëmarrjen e tij në Forumin e Paqes në Paris dhe në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, ku tha se në të dyja këto aktivitete është ritheksuar përkushtimi i Kosovës ndaj orientimit euro-atlantik, raporton KosovaPress.

Kurti ka kërkuar që procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian të mos vonohet më tej, duke theksuar nevojën që Këshilli i BE-së t'i kërkojë Komisionit Evropian të japë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë, gjatë presidencës çeke.

Ai ka thënë se përmbushja e reformave është po aq e rëndësishme sa arritja e synimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi, sipas tij, përfitimet nga këto reforma janë të drejtpërdrejta për qytetarët dhe kontribuojnë në forcimin e shtetit.

Kurti flet për vizitat në Paris dhe Dublin: Nevojitet përshpejtimi i integrimit evropian

“Në të dyja këto vizita dhe në të gjitha rastet theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes sonë euro-atlantike. Që rrugëtimi zyrtar i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin tonë, të dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Çekisë, që mbante presidencën e BE-së. Për ne, procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa arritja e cakut, meqenëse me përmbushjen e reformave”, potencoi ai.

Kryeministri ka folur edhe për synimet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe në Këshillin e Evropës. Anëtarësimin në NATO e ka cilësuar prioritet strategjik, duke e ndërlidhur me paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Evropën.

Ndërkaq, për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Kurti ka theksuar se ai do t'u mundësonte qytetarëve të Kosovës pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kurti: Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik

“Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe mbarë Evropën. Ndërkaq, pranimi në Këshillin e Evropës, mes të tjerash, do t’i mundësonte pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, ndërkaq qytetarëve të Kosovës do t'u mundësonte qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, potencoi ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, anëtarësimi në NATO dhe Këshillin e Evropës mbetet ndër synimet e politikës së jashtme të Kosovës. 

Kurti paralajmëron masa ndaj Serbisë: Ndalet tregtimi i energjisë me kompanitë serbe

Kryeministri njofton tri vendime në sektorin e energjisë, pas bllokimit të linjave ndërkufitare 400 kV nga Serbia. KEK-ut do t’i caktohet obligim publik për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare, ndërsa masa emergjente do të përfshijë edhe Ibër-Lepencin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar tri masa në sektorin e energjisë elektrike, si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtimin e energjisë nga Serbia.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti bëri të ditur se masa e parë do të jetë ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe. Ai paralajmëroi se kjo masë mund të ashpërsohet në të ardhmen, nëse pala serbe nuk reflekton për veprimet e saj.

“Së pari, do ta ndalojmë tregtimin e energjisë me kompanitë serbe si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Kurti.

Ai bëri të ditur se Qeveria do t’i vendosë KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, me qëllim të përballimit të vështirësive të krijuara nga bllokimi i linjave 400 kV.

Po ashtu, kryeministri njoftoi për vendosjen e masave emergjente në sektorin e energjisë, të cilat përfshijnë edhe obligimin e ndërmarrjes Ibër-Lepenci për ta shitur energjinë elektrike për nevojat e furnizimit të shërbimit publik.

“Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë nga bllokimi i këtyre linjave 400 kV, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik”, tha Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat