Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur dekretimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe barazisë.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se miratimi dhe dekretimi i ligjit vijnë pas përpjekjeve të shumta dhe pengesave me të cilat, sipas tij, është përballur iniciativa për themelimin e Byrosë, transmeton "Bota sot".
Ai theksoi se presidentja e ka dekretuar ligjin javën e kaluar, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm pas kundërshtimeve të përsëritura.
“Pas shumë përpjekjesh tona përballë një serie e kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi, Presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, deklaroi Kurti.
Kreu i Qeverisë u shpreh se ky zhvillim mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për vendin, duke uruar që mekanizmi i ri t'i shërbejë drejtësisë dhe barazisë.
“Urime të gjithëve dhe le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë për drejtësi dhe barazi”, tha ai.
Ligji për Byronë Shtetërore parasheh krijimin e një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Dekretimi i tij shënon një hap në procesin e krijimit të këtij mekanizmi, i cili synon të trajtojë pasurinë për të cilën nuk mund të dëshmohet prejardhja e ligjshme.