Pas fletarrestimit, në Beograd pyesin: kush e la Radoiçiqin të ikë?

Aktuale

Pas fletarrestimit, në Beograd pyesin: kush e la Radoiçiqin të ikë?

Nga: BS Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 09:53
Millan Radoiçiq.

Fletarrestimi që Gjykata e Lartë në Beograd lëshoi të martën për Millan Radoiçiqin ka hapur në Serbi pyetjen se kush ia mundësoi largimin njeriut që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Forumi për Siguri dhe Demokraci (FBD) kërkoi që institucionet t’i sqarojnë sa më shpejt të gjitha rrethanat e zhdukjes së tij. Sipas kësaj organizate, kjo duhet të jetë përparësia kryesore e prokurorisë, policisë dhe shërbimeve të sigurisë, ndërsa rasti tregon gjendje alarmante në sektorin e sigurisë, raportoi agjencia Beta.

FBD paralajmëroi se, derisa zgjat konstituimi i organeve të reja të pushtetit, struktura parasigurie të lidhura me pjesë të pushtetit të kaluar mund t’i shkaktojnë Serbisë dëm të madh. Sipas forumit, këto struktura tani synojnë fshirjen e të gjitha gjurmëve.

Reagoi edhe lideri i lëvizjes “Kreni-Promeni”, Savo Manojloviq. Në rrjetin X ai kërkoi që institucionet të tregojnë kush e lejoi Radoiçiqin të largohej pavarësisht ndalesës gjyqësore, kush e mbrojti dhe pse u hesht për ditë të tëra, raportoi portali KoSSev.

Gjykata caktoi paraburgim deri në 30 ditë dhe urdhëroi shpalljen në kërkim, pasi Radoiçiq nuk u paraqit më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit. Më 13 nëntor, ish-inspektori i shërbimit serb BIA, Milan Zvezdanoviq, kishte thënë në televizionin N1 se ka informacione jozyrtare që ai është larguar drejt Rusisë. Asnjë institucion nuk e ka konfirmuar këtë.

Në Kosovë, Radoiçiq është i pari në aktakuzën ndaj 45 personave për sulmin e 24 shtatorit 2023, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat