Kilaj pas pafajësisë: mbajta 18 muaj burg, edhe unë jam i dënuar

Aktuale

Kilaj pas pafajësisë: mbajta 18 muaj burg, edhe unë jam i dënuar

Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 09:57
Isni Kilaj

Isni Kilaj, i vetmi nga pesë të akuzuarit për pengim të drejtësisë që u shpall i pafajshëm në Hagë, thotë se edhe ai e konsideron veten të dënuar.

“Realitetisht edhe unë jam i dënuar”, tha Kilaj të martën mbrëma në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit. Ai kujtoi se ka mbajtur 18 muaj burg dhe se prej tri vjetësh është pjesë e një procesi që e quajti të stërzgjatur e të mundimshëm. Edhe në shtëpi, tha ai, ka qenë nën kufizime të rrepta.

Ish-kryetari i Malishevës tha se procesi nuk është dashur të fillonte fare dhe se ka qenë i padrejtë që nga nisja, me presion politik. Sipas tij, ndaj të akuzuarve ka pasur presion të madh për ta pranuar fajësinë, ndërsa dënimin e të tjerëve e quajti politik dhe të pabazë.

Kilaj tregoi se pas shpalljes së aktgjykimit e kanë takuar ish-presidentin Hashim Thaçi vetëm për pak minuta, në praninë e gardianëve. Qëndrimin e tij e përshkroi si dinjitoz.

Dhomat e Specializuara e dënuan të martën Thaçin me 17 muaj burgim, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat