Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar gjatë javës një seri takimesh me tri komisione të sapoformuara të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi, Hargreaves ka bërë të ditur se ka takuar anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Ai ka thënë se gjatë takimeve i ka përgëzuar komisionet për formimin e tyre dhe ka riafirmuar miqësinë e fortë të Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën.
Ambasadori ka theksuar se ka qenë i interesuar të dëgjojë drejtpërdrejt nga anëtarët e komisioneve për prioritetet e tyre gjatë kësaj legjislature dhe punën që i pret.
Hargreaves ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e këtyre bisedimeve dhe bashkëpunimin e ngushtë me Kuvendin e Kosovës.