Ish-kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka komentuar vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e tij ndër vite dhe duke shprehur keqardhje për situatën në të cilën ndodhet ish-kryetari i Kuvendit.
Hamza e ka cilësuar Krasniqin si një personalitet me shumë kontribute për vendin, duke kujtuar edhe dhjetë vjetët që ai kaloi në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë për shkak të angazhimit për të drejtat e popullit të tij.
Ai ka shprehur kritika ndaj procesit gjyqësor në Hagë, duke pretenduar se Krasniqi po përballet me një proces pa fakte dhe prova të mjaftueshme, ndërsa ka theksuar se tashmë ka kaluar gjashtë vjet në paraburgim.
“Është njëri me shumë kontribute në vend gjatë gjithë jetës së vet. Dhjetë vjet burg në burgjet e Jugosllavisë, Serbisë, për vetëm një arsye që ka kërkuar të drejta për popullin e vet. Është prapë duke u ballafaquar me një proces jo të drejtë, që gjashtë vjet i paraburgosur, prapë duke u ballafaquar me një proces në mungesë të fakteve dhe të provave, por të thashethemeve”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se vizita e Krasniqit në Kosovë është bërë edhe për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Hamza ka shtuar se nuk është ndier lehtë për situatën e tij, duke vlerësuar se Krasniqi do të duhej të ishte pranë familjes dhe bashkëshortes.
“Jam i bindur se secili qytetar i Republikës së Kosovës, e gjithsesi edhe unë, se e kam mik e njoh, nuk është që jam ndier lehtë. Ai është dashur me qenë në shtëpinë e vet, afër familjes, bashkëshortes së vet, e jo në rrethanat se si ndodhet”, ka thënë Hamza.