Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me nga 18 vjet burgim Ilir Abdullahun dhe Rrahim Abdullahun për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të policit Triumf Riza në vitin 2007.
Aktgjykimin e shpalli kryetari i trupit gjykues Avni Syla.
Në seancë ishte i pranishëm i akuzuari Ilir Abdullahu, ndërsa mungoi i akuzuari tjetër Rrahim Abdullahu.
Gjykata vendosi që Ilir Abdullahut t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërsa, ndaj Rrahim Abdullahut caktoi vazhdimin e masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Lidhur me këtë vrasje Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burgim për vrasje.
Për vrasjen e Triumf Rizës po gjykohej edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitjen e vrasjes.
Sekiraqa ishte dënuar me 25 vjet burgim më 3 maj 2024. Ai gjendet në arrati.
Polici Triumf Riza është vrarë më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë .