Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Përmes këtij memorandumi, Ministria dhe Instituti synojnë të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve që dokumentojnë krimet e luftës.
Në këtë kuadër, rrjeti diplomatik dhe konsullor i Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet relevante ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ky bashkëpunim synon të forcojë diplomacinë publike të institucioneve të Kosovës në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës.
Ministria ka ritheksuar përkushtimin që e vërteta historike për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës dhe krimet e kryera gjatë luftës të prezantohet sa më gjerësisht në arenën ndërkombëtare, në mbrojtje të drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave.