Konjufca propozon Hasnije Ilazin ambasadore në Kroaci, Berishaj pa mandat të ri

Aktuale

Konjufca propozon Hasnije Ilazin ambasadore në Kroaci, Berishaj pa mandat të ri

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 16:25
Hasnije Ilazi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar profesoreshën Hasnije Ilazi për ambasadore të Kosovës në Kroaci. Me këtë propozim, ambasadori aktual në Zagreb, Martin Berishaj, nuk do të vazhdojë për një mandat të dytë.

Konjufca i është drejtuar Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës, duke i kërkuar që të shqyrtojë kandidaturën e Ilazit për këtë post diplomatik.

Në letrën e propozimit, të cilën e ka publikuar portali Nacionale, Konjufca thekson se Ilazi ka qenë kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim nga viti 2021 deri në vitin 2026. Sipas tij, ajo ka udhëhequr procese kyçe për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe për përafrimin me standardet evropiane. Ilazi mban edhe titullin Presidente Nderi e këtij institucioni.

Ministri përmend në letër edhe përvojën e saj akademike në Universitetin e Prishtinës, si dhe njohjen e gjuhëve të huaja.

Gjatë kohës sa Ilazi ishte në krye të Këshillit, Agjencia e Kosovës për Akreditim u rikthye si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Më pas, Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në Shtetet e Bashkuara e njohu Agjencinë me statusin e “autoritetit akreditues” deri në fund të vitit 2033, duke e bërë Kosovën shtetin e parë në Evropë me këtë status.

Martin Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021. Gjatë mandatit, emri i tij është përmendur në media, fillimisht në ato sllovene, për dyshime që lidhen me transaksione financiare në sektorin e energjisë elektrike. Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nisur verifikimin e pasurisë së tij, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës e ka intervistuar me dyshimet për shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe mosraportim të pasurisë.

Berishaj i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si spekulime mediale me prapavijë politike. Sipas tij, ato synojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Kroacinë dhe Slloveninë. Avokati i tij, Tomë Gashi, ka deklaruar se Berishaj vetë kishte kërkuar të jepte deklaratë sqaruese në Prokurori.

Pas shqyrtimit në Komisionin parlamentar, emërimi i ambasadorëve bëhet me dekret të kreut të shtetit, me propozim të Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat