Hera e parë në historinë moderne që Ushtria e SHBA-së përdor këtë metodë ekzekutimi që pas Luftës së Dytë Botërore
Presidenti Donald Trump ka miratuar përdorimin e skuadrës së zjarrit për të ekzekutuar ushtarin e dënuar Nidal Malik Hasan, autorin e masakrës së vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas.
Kjo do të ishte hera e parë në historinë moderne që Ushtria e SHBA-së përdor këtë metodë ekzekutimi, të paktën kështu thotë shtypi amerikan.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth rekomandoi dhe presidenti miratoi që Hasan, i cilësuar si terrorist i dënuar, të ekzekutohet nga Ushtria.
Kurse, Ministri i Luftës do të përcaktojë datën dhe vendin e ekzekutimit.
Më 5 nëntor 2009, majori Nidal Hasan, psikiatër ushtarak, hapi zjarr mbi ushtarët e pambrojtur në Fort Hood. Ai vrau 13 persona dhe plagosi 32 të tjerë.
Në vitin 2013, ai u gjykua dhe u dënua me vdekje. Që atëherë ndodhet në një burg federal të sigurisë së lartë në Kansas.
Ushtria amerikane nuk ka ekzekutuar asnjë ushtar që nga viti 1961 dhe ai ekzekutim (pushkatim) nuk u krye me skuadër zjarri.
Metoda e fundit e tillë daton nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Një memorandum i brendshëm i verës tregonte se ushtria kishte filluar përgatitjet për ekzekutimin e Hasanit, i cili duhej të ndodhte brenda 150 ditëve nga miratimi i presidentit.
Ky vendim hap tani dritaren e ekzekutimit të vendimit brenda limitit 150-ditor. Lajmi u përhap fillimisht në rrjetet sociale dhe shënon një hap të rrallë në historinë e drejtësisë ushtarake amerikane, shkruan shtypi prestigjioz amerikan sot.