Nga Kosova në Nju Jork: Westchester nderon familjen Ukaj dhe Sonny Vatajn

Amerika

Nga Kosova në Nju Jork: Westchester nderon familjen Ukaj dhe Sonny Vatajn

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 11:32
Ilustrim

Kuvendi i Qarkut Westchester në shtetin e Nju Jorkut ka shënuar Muajin e Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane me një ceremoni ku u nderuan tre bashkatdhetarë me origjinë nga Kosova.

Mirënjohje morën Bruno dhe Liridona Ukaj, pronarë të restorantit “Giovanni's” në Main Street të Yonkersit, si dhe Sonny Vataj, këshilltar në North Castle dhe zëvendëskomandant i Departamentit të Zjarrfikësve Vullnetarë të Armonkut.

Familja Ukaj emigroi nga Kosova në Yonkers dhe, sipas Kuvendit të Qarkut, restorantin e saj e ka shndërruar në pikë takimi të komunitetit dhe në burim ndihmash bamirëse. Edhe Sonny Vataj është nga Kosova dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent.

Ceremoninë e drejtoi kryetari i Kuvendit të Qarkut, Vedat Gashi, i cili tha se si shqiptaro-amerikan kjo festë i është shumë afër zemrës. Sipas tij, historia e të nderuarve është histori e punës së palodhur, e familjes, e sipërmarrjes dhe e përkushtimit ndaj komunitetit ku jetojnë, qoftë duke ushqyer fqinjët në nevojë, qoftë duke iu përgjigjur thirrjeve si zjarrfikës vullnetar.

Flamuri shqiptar në White Plains

Disa ditë më vonë, Qarku Westchester organizoi edhe ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar në ndërtesën Michaelian në White Plains. Kryeadministratori i Qarkut, Ken Jenkins, tha se shqiptaro-amerikanët janë biznesmenë, edukatorë, nëpunës publikë dhe fqinjë që i bëjnë komunitetet më të forta.

Muaji i Trashëgimisë Shqiptare festohet çdo nëntor, me rastin e 28 Nëntorit. Në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut është paraqitur edhe një rezolutë që i kërkon guvernatores Kathy Hochul ta shpallë 28 nëntorin e vitit 2026 Ditë të Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat