Në kuadër të Muajit të Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane, Bordi i Legjislatorëve të Qarkut Westchester do të nderojë sot (të hënën, më 9 nëntor 2026), në orën 19:00, dy figura të spikatura të komunitetit në këtë konté.
Ceremonia do të zhvillohet në fillim të mbledhjes së rregullt të Bordit, në sallën e tij në 148 Martine Avenue, kati i 8-të, White Plains. Kështu, të paktën, thuhet në njoftimin e Bordit të Legjislatorëve të Qarkut Westchester, i cili fton publikun të marrë pjesë personalisht ose virtualisht.
Në kuadër të Muajit të Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane, ndër të nderuarit është Sonny Vataj, këshilltar në North Castle dhe ndihmës-shef i Departamentit Vullnetar të Zjarrfikësve të Armonk-ut.
Vataj përfaqëson angazhimin e vazhdueshëm të shqiptaro-amerikanëve në qeverisjen lokale dhe në shërbimin publik, duke ndihmuar komunitetin e tij me përkushtim të heshtur e të qëndrueshëm.
Rrugëtimi i tij drejt shërbimit publik filloi në vitin 2012, kur ndihmoi në fushatën e anëtarit të Asamblesë, Mark Gjonaj. Kjo çoi në dy mandate në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, ku ai fitoi një vlerësim të thellë për rëndësinë e dëgjimit dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve.
Kjo përvojë në Albany i dha njohuri të çmuara për qeverisjen efektive dhe përfaqësimin e komunitetit, aftësi të cilat ai është i gatshëm t'i zbatojë edhe në nivel lokal.
Por vëmendja kryesore e këtij nderimi, natyrisht, qëndron te çifti Bruno dhe Liridona Ukaj, pronarë të restorantit Giovanni’s dhe mbështetës të njohur të komunitetit në Yonkers.
Edhe historia e tyre është historia e shumë familjeve shqiptare që erdhën nga Kosova me duar bosh dhe ndërtuan jetë dinjitoze në Amerikë.
Bruno Ukaj lindi në Vranoc të vogël të Deçanit. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Baran. Në moshën 17-vjeçare, në fillim të vitit 1993, u detyrua të largohej nga Kosova, sepse refuzoi të shërbente në ushtrinë serbe.
Pas një rruge të vështirë, arriti në Shtetet e Bashkuara më 17 maj 1993.
Këtu e pritën dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, të cilët kishin emigruar vite më parë dhe kishin nisur një biznes picerie në Manhattan.
Si shumica e emigrantëve, Bruno e mbajti gjithmonë mendjen te vendi i tij. Kur u kërkua, mori pjesë në demonstrata dhe dha mbështetje financiare. Me fillimin e luftës në Kosovë, u bë pjesë e Batalionit Atlantik dhe shërbeu deri në çlirimin e vendit.
Pas çlirimit të Kosovës, ai u kthye në Amerikë, ku vazhdoi të punonte me nder si pronar restorantesh dhe pronash private.
Sot Bruno jeton dhe punon së bashku me bashkëshorten, Liridona Ukaj, në qendër të Yonkers-it. Kanë dy fëmijë, Albin dhe Albën, të cilët aktualisht ndjekin studimet universitare – njëri në vitin e dytë dhe tjetra në vitin e tretë.
Liridona (bashkëshortja) duket se ka qenë gjithmonë krah i fortë i familjes dhe i biznesit, duke ndihmuar që Giovanni’s të bëhet jo vetëm një vend pune, por edhe një pikë referimi për komunitetin.
Çifti Ukaj thuhet se ka marrë më parë mirënjohje nga zyrat lokale. Por ky nderim nga Bordi i Westchester-it është i veçantë dhe më se i merituar, tha bashkëluftëtari i tij nga Batalioni Atlantik, Uk Lushi.
Bruno dhe Liridona vijnë si shqiptaro-amerikanë, për kontributin dhe suksesin e arritur në këtë konté, ku jetojnë e punojnë qindra familje shqiptare.
Bruno vetë theksoi: “Jemi mirënjohës. Kjo mirënjohje është më ndryshe, sepse na nderon si shqiptaro-amerikanë për atë që kemi ndërtuar këtu”.
Në një kohë kur shumë flasin në komunitetin tonë për identitetin dhe integrimin, Bruno dhe Liridona Ukaj, si dhe Sonny Vataj, megjithëse në heshtje (pa vetëmburrje dhe vetëlavdërime), tregojnë me punë konkrete se çfarë do të thotë të jesh pjesë e dy botëve pa i tradhtuar asnjërën.
Nga Vranoci i Deçanit te Main Street i Yonkers-it, nga refuzimi i një ushtrie kriminale te ndërtimi i një biznesi familjar dhe shërbimi publik – këta tre emra përfaqësojnë trashëgiminë e gjallë shqiptaro-amerikane që Westchester-i zgjodhi të nderojë.