Në Queens, New York, më 18 tetor 2026, u zhvillua një takim kulturor me Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, i organizuar dhe i sponsorizuar nga Mark Qehaja në bashkëpunim me komunitetin shqiptar të New York-ut.
Aktiviteti, i mbajtur në Syllogos Kreton Minos në Astoria, shënoi promovimin e numrit special 44 të revistës “Mirëdita”, një botim që pasqyron vlerat kulturore, historinë, traditat dhe kontributin e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Tubimi u hap me një fragment nga “Lahuta e Malcis”, të At Gjergj Fishtës.
Mikpritësi i takimit, Mark Qehaja, në fjalën e tij të hapjes, pas mirëseardhjes theksoi me forcë rëndësinë e bashkimit të diasporës. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për pjesëmarrjen e gjerë dhe theksoi se ky moment shërbente për të vlerësuar kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë, si dhe të individëve të veçantë që janë shquar për veprimtarinë e tyre atdhetare, patriotike dhe në shërbim të çështjes shqiptare.
Qehaja tha se së bashku me disa veprimtarë të komunitetit kishin ngritur grupin organizator me qëllim që të njiheshin më nga afër me drejtuesit e Akademisë dhe të revistës.
Ai foli me respekt për çdo bashkëatdhetar që jeton në New York, ose në shtetet e tjera të Amerikës, duke nënvizuar se vetëm duke u mbledhur së bashku mund të ndihej fuqia e mirënjohjes dhe e vlerësimit të kontributit shqiptar në Amerikë.
Drejtori i Akademisë, z. Pjetër Marku, në fjalimin e tij vuri në dukje misionin e institucioneve kulturore në diasporë.
Ai theksoi se revista “Mirëdita” nuk është thjesht një botim, por një urë që lidh brezat dhe ruan trashëgiminë e kombit.
Marku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e komunitetit dhe nënvizoi nevojën e angazhimit të përbashkët për promovimin e kulturës shqiptare në Amerikë.
Zv. drejtori dhe kryeredaktori i revistës, z. Aleksandër Ndoja, foli për rëndësinë e botimeve që dokumentojnë historinë dhe arritjet e shqiptarëve.
Ai vuri në dukje se numri special 44 i “Mirëditës” përmbledh përkushtimin e mërgatës dhe shërben si dëshmi e gjallë e identitetit kombëtar.
Ndoja falënderoi pjesëmarrësit për praninë dhe mbështetjen, duke theksuar se bashkëpunimi midis institucioneve dhe komunitetit është thelbësor për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave shqiptare te brezat e rinj.
Aktiviteti u moderua nga artistja dhe valltarja Estela Ruka, e lindur në Jug të Shqipërisë dhe e rritur në Mirditë. Prezantimi i saj i dha takimit një frymë të veçantë artistike dhe kulturore.
Gjatë programit u shpërndanë medalje mirënjohjeje për disa personalitete që kanë dhënë kontribut të shquar në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare e të çështjes kombëtare.
Të nderuar me medalje ishin:
1. Agim Aliçkaj
2. Pashko Camaj
3. Agim Rexha
4. Mark Qehaja
5. Qamil Osmani
6. Estela Ruka
7. Beqir Sina
8. Gjergj Dedvukaj
9. Tom Gjergji
Si dhe Astrit Tota (artist piktor), Gjon Dedvukaj (artist), Vera Kurti Koka (mësuese), Violeta Yzeiri (mësuese) dhe vëllezërit Edison Gjergji e Rafaelo Gjergji (aktivistë të komunitetit shqiptar në New York e Florida dhe sponsorë për dy numra të revistës “Mirëdita”).
Në takim morën pjesë përfaqësues të njohur të diasporës, ndër ta Agim Aliçkaj, Pashko Camaj, Tom Mriaj, Belul Gashi, Zef Berisha, Tom Gjergji, Alma Jaku, Mehill Velaj, Arjana Fetahu Gaba, Mëhill Gjura, Arjana Ndrenika, Astrit Tota, Gjergj Dedvukaj, Nazim Qehaja e të tjerë.
Një prani e veçantë ishte edhe ajo e aktivistit të komunitetit indian, JP Singla, mik i komunitetit shqiptar. Pas takimit, ai falënderoi publikisht Mark Qehajën për ftesën, duke e vlerësuar si një përvojë të mrekullueshme dhe të veçantë.
Singla theksoi se ishte e mrekullueshme të takonte personalitete të mëdha shqiptare dhe se të gjithë të pranishmit ishin jashtëzakonisht mikpritës. Fjalët e tij dëshmuan miqësinë dhe respektin e ndërsjellë midis komuniteteve.
Programi kulturor, i pasuruar me muzikë dhe këngë shqiptare nga DJ Fredi dhe DJ Irdi, i dha gjallëri dhe ngrohtësi mbrëmjes. Dy artistët e rinj sollën ritmet e valleve dhe këngëve tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe bashkuese.
Promovimi i revistës “Mirëdita” ishte më shumë se një aktivitet formal. Ai shërbeu si platformë për bashkimin e personaliteteve të diasporës, vlerësimin e kontributeve të tyre dhe riafirmimin e rëndësisë së ruajtjes së kulturës, traditave dhe vlerave kombëtare.
Takime të tilla dëshmojnë se diaspora shqiptare në New York, vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe në përcjelljen e trashëgimisë kulturore te brezat e ardhshëm.