Duhet ta pranojmë se shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve shqiptare, kur flasim për koncerte dhe evente që kanë të bëjnë me festat kombëtare, vërtet dinë t’i organizojnë më së miri. E kur jemi te ata që jetojnë më së largu, në Amerikë, eventet e tyre që frymojnë shqip kanë një tjetër nivel.
Rasti më konkret që kemi mësuar ka të bëjë me një shoqatë mjaft të njohur dhe aktive, siç është Shoqata Amerikano-Shqiptare Arbëria e Hjustonit të Madh, e cila, për festën më të madhe të shqiptarëve, atë të 28 Nëntorit, në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, do të organizojë një supermbrëmje. Sapo u bë publike data dhe lajmi u shpërnda në profilet e tyre sociale, interesimi i shqiptarëve që jetojnë atje ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ne mësojmë se, për herë të parë në 30 vjet, ata presin afër 1 mijë pjesëmarrës që të mblidhen së bashku për të nderuar atdheun tonë të dashur, për të festuar trashëgiminë tonë dhe për të forcuar lidhjet e komunitetit të tyre shqiptaro-amerikan në Hjustonin e Madh.
Por një veçori që rrallë, ose fare, e sheh në koncertet e tjera festive është se hyrja do të jetë falas, për t’u kënaqur dhe gëzuar me zërat e artistëve të njohur, si Ylli Baka dhe djemtë e tij, Ermal Fejzullahu dhe profesori Përparim Mefaj, një profesor i njohur dhe mjeshtër i muzikës nga Kavaja e Shqipërisë.
Vetë shoqata ka shprehur falënderime të përzemërta për donatorët dhe mbështetësit e tyre bujarë, ku, mes të tjerash, në rrjetet e tyre sociale shkruajnë:
“Përmes mirësisë dhe angazhimit të tyre, ne jemi në gjendje ta bëjmë të mundur këtë festë pa asnjë kosto për komunitetin tonë. Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë rast të veçantë falas. Kjo është mënyra jonë për të bashkuar komunitetin tonë dhe për të siguruar që çdo familje të ketë mundësinë të festojë historinë, kulturën dhe pavarësinë tonë.
Jemi gjithashtu të nderuar të mirëpresim mysafirë të shquar, duke përfshirë ambasadorë, zyrtarë të zgjedhur, akademikë, udhëheqës të komunitetit dhe mysafirë të tjerë të veçantë. Jemi veçanërisht krenarë që Kryetari i Bashkisë së Hjustonit do ta shpallë 28 Nëntorin si Ditën e Shqipërisë, duke njohur rëndësinë e këtij rasti dhe kontributet e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Më e rëndësishmja, ky festim ka të bëjë me unitetin, krenarinë dhe mbajtjen gjallë të trashëgimisë sonë për brezat e ardhshëm. Është një mundësi që fëmijët tanë të mësojnë rreth rrënjëve të tyre, që familjet tona të bashkohen dhe që i gjithë komuniteti ynë të festojë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”, shkruajnë ata, mes të tjerash.
Ne mund të themi vetëm se lum ata që do të jenë aty më 29 Nëntor, në këtë mbrëmje të madhe festive të organizuar nga Shoqata Amerikano-Shqiptare Arbëria, ku festa nis në orën 17:00, sipas orës lokale amerikane, dhe zgjat deri në orët e vona të natës në Hjustonin e Madh.