Festivali i Filmit të Kosovës në Panama ka shënuar interesim të madh të publikut gjatë dy netëve të zhvilluara më 17 dhe 18 nëntor, ku janë shfaqur filmat “Zgjoi” dhe “Okarina”.
Aktiviteti “Kosova en Pantalla – Semana de Cine Kosovar” është organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Panama, në kuadër të shënimit të 13-vjetorit të themelimit të saj.
Në natën e dytë të festivalit u shfaq filmi “Zgjoi” (Hive), me regji të Blerta Bashollit. Në këtë mbrëmje morën pjesë profesorë dhe studentë të Universitetit Katolik Santa María La Antigua (USMA), si dhe pjesëtarë të diasporës së Kosovës dhe Shqipërisë.
Filmi solli një rrëfim për qëndresën, fuqizimin e grave dhe shpresën.
Ndërkaq, nata e tretë e festivalit iu kushtua filmit “Okarina”, me regji të Alban Zogajt. Ky film mblodhi përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Panamasë, diplomatë nga Peruja, Belgjika, Katari dhe vende të tjera, si dhe studentë të Unionit Studentor të Universitetit të Panamasë.
Filmi trajtoi tema si lufta, migrimi, identiteti dhe lidhja me atdheun.
Në të dyja mbrëmjet, të pranishmit u përshëndetën nga Gjylymsere Ahmetgjekaj, zëvendësshefe e Misionit dhe sekretare e parë, e cila theksoi rëndësinë e kinematografisë në promovimin e historisë, kulturës dhe identitetit të Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Panama ka falënderuar pjesëmarrësit dhe partnerët për interesimin dhe mbështetjen, duke theksuar se përmes artit dhe filmit vazhdojnë të ndërtohen ura miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Panamasë.