Adri Mehmeti, mesfushori 17-vjeçar i New York Red Bulls, është një nga talentet më të shquara të gjeneratës së re të futbollit amerikan, të paktën kështu shkruan gazeta The New York Times.
Ajo shkruan se dy javë më parë, ai bëri debutimin e tij me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara (USMNT), duke fituar tri ndeshje miqësore. Por rruga e tij është një histori sakrificash familjare që fillon në Shqipëri dhe vazhdon në rrugët e New York-ut.
Prindërit e tij janë emigrantë shqiptarë. Babai, Van Mehmeti, erdhi në SHBA në moshën 21-vjeçare si emigrant nga Shqipëria, duke lënë pas vendlindjen për të ndërtuar një jetë të re.
Ai erdhi si një emigrant i ri, i vendosur të punonte dhe të krijonte një familje. Në Amerikë njohu gruan e tij, gjithashtu me origjinë shqiptare.
Pas martesës, Van i tha bashkëshortes se donte një familje të shëndetshme… dhe fëmijë që do të bëheshin futbollistë.
Kur Adri lindi në New York, Van kishte vendosur 50 topa rreth krevatit të tij në spital. “Më vonë erdhën edhe lodrat”, tregon ai për NYT – The Athletic.
Lidhja e Vanit me futbollin nuk është ajo e një ish-lojtari profesionist, por e një babai që e ktheu pasionin në mision.
Ai e pa futbollin si rrugën më të mirë që djali i tij të përparonte në vendin e ri. Në Staten Island, ku familja u vendos kur Adri ishte dy vjeç, Van hoqi një pjesë të gardhit për të ndërtuar një mur betoni, ku djali mund të stërvitej vetëm.
Kopshti i shtëpisë u quajt “Mini Maracanã”.
Nga mosha 5 deri në 12 vjeç, Adri ka bërë rreth 1.5 milionë prekje të topit aty. Treqind pasime me të dyja këmbët, dy herë në ditë, plus ndeshje një kundër një (1v1) me babanë.
“Nëse bën atë punë në atë moshë, si nuk do t’ia dalësh?”, thotë Van.
Ai nuk ishte thjesht një prind që e çonte djalin në stërvitje, por edhe trajneri i tij i parë, bashkëlojtari në lojë dhe burimi i disiplinës së hekurt.
Kur erdhi thirrja nga akademia e New York Red Bulls, stërvitjet zhvilloheshin në Whippany, New Jersey – 45 minuta udhëtim në secilën anë.
Në të njëjtën kohë, lindi edhe vajza e tyre. Van, i cili drejtonte një biznes transporti, filloi të punonte me turne, ditën dhe natën, dhe flinte vetëm katër orë, që të mund ta çonte djalin në stërvitje dhe të fliste me të pas tyre.
Sakrificat u shpërblyen. Kur Adri shënoi golin e tij të parë në MLS, babai ishte në stadiumin e Miamit.
Përqafimi i tyre emocional u bë simbol i asaj rruge. “E gjithë familja dhe të afërmit që kanë sakrifikuar për mua – pa ta, unë nuk do të isha këtu”, tha Adri pas debutimit me USMNT.
I riu mbetet i disponueshëm (eligible) për Shqipërinë dhe ka luajtur një herë me U-15. “Ne nuk harrojmë nga vijmë”, thotë Van.
“Por ky vend më ka dhënë gjithçka. Adri do të vendosë vetë. Nëse ai është i lumtur, ne jemi njëqind mijë herë më të lumtur”, thotë Mehmeti për gazetën prestigjioze njujorkeze.
Historia e Adri Mehmetit, siç e tregon The New York Times / The Athletic, është dëshmi se talentin e rritin sakrificat e heshtura të një familjeje emigrante shqiptare në Amerikë.