Filmi “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për çmimet prestigjioze Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”, do të prezantohet gjatë këtij muaji edhe para publikut të Nju-Jorkut.
Ambasadori dhe shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka, ka bërë të ditur se ka pritur në takim regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, pjesë e ekipit realizues të filmit.
Përmes një postimi, Reka ka shprehur kënaqësinë për takimin me artistët nga Kosova, duke vlerësuar rëndësinë e prezantimit të filmit në një skenë ndërkombëtare.
Postim i plotë:
Sot pata kënaqësinë të mirëpres regjisoren Blerta Basholli dhe producentin Valon Bajgora, ekipin e filmit “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Gjatë këtij muaji “DUA” do të shfaqet para publikut të Nju-Jorkut, duke sjellë në ekran një rrëfim të fuqishëm që i jep zë kujtesës sonë dhe e përcjell atë përtej kufijve.
Përmes talentit dhe përkushtimit të tyre, artistët tanë të “DUA”-s dëshmojnë se janë ndër ambasadorët më të mirë të Kosovës në botë.
Krenarë për krijimtarinë e tyre dhe me urimet më të mira për rrugëtimin e “DUA”-s drejt Oscar-it!