Strategjia e luftës izraelite në Gazë: Tokë e djegur, përshkallëzim rajonal dhe pasoja humanitare

Analizë

Strategjia e luftës izraelite në Gazë: Tokë e djegur, përshkallëzim rajonal dhe pasoja humanitare

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj, gjeneral-major Më: 17 shtator 2025 Në ora: 13:46
Prof. Dr. Muhamet Racaj, gjeneral-major

Që nga tetori i vitit 2023, Lindja e Mesme është duke përjetuar një nga periudhat më të errëta të historisë së saj moderne. Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit mundësoi një reaksion zinxhir që, brenda pak javësh, e shndërroi Gazën në një fushëluftimi total. Përkufizimi më i saktë i kësaj strategjie izraelo-palestineze është ai i “tokës së djegur” – një doktrinë ushtarake që nuk kursen as infrastrukturë, as qytetari, e as të ardhmen e brezave në Gaza.

Kam mbajtur për dekada uniformën ushtarake dhe e di shumë mirë ku fillon dhe ku mbaron efekti i forcës. Forca është e domosdoshme për të mbrojtur shtetin, por kur ajo shndërrohet në një makineri të pakontrolluar shkatërrimi, atëherë ushqen një cikël të ri dhune. Në Gaza, ky cikël u bë i përjetshëm. Mbi 60 mijë ndërtesa u rrënuan, qindra shkolla e spitale u shembën dhe më shumë se 40 mijë civilë humbën jetën. Këto janë shifra që nuk mund të fshihen përmes propagandës.

Nga përvoja ime si ushtarak, mund të them se shkatërrimi pa rindërtim nuk sjell siguri afatgjatë. E pamë këtë në Vietnam, e pamë në Afganistan, dhe sot e shohim në Gaza. Pa institucione që e zëvendësojnë vakumin politik, forcat ekstreme si Hamasi vetëm sa forcojnë pozitën e tyre. Ky është një paradoks tragjik i të gjitha strategjive të tokës së djegur: synon të dobësojë armikun, por në fakt e ushqen atë me dhimbjen dhe dëshpërimin e popullit.

Izraeli ndërkohë ka ndërtuar një arkitekturë të sofistikuar mbrojtjeje dhe sulmi – nga sistemi Iron Dome deri tek lufta kibernetike kundër Iranit. Por kjo teknologji nuk e ka shmangur përshkallëzimin. Përkundrazi, çdo vit që kalon, konflikti po bën një hap më pranë rajonalizimit të plotë. Përplasja 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit në qershorin e vitit 2025 ishte një kambanë alarmi për mbarë globin: Lindja e Mesme nuk është më arenë lokale për palestinezët dhe izraelitët, por një vatër që rrezikon ekuilibrat botërorë.

Sfida dhe Pasojat e Doktrinës së Tokës së Djegur në Gaza

Doktrina e tokës së djegur e aplikuar nga Izraeli në Gaza gjatë viteve 2023–2025 përfaqëson një nga qasjet më radikale të përdorura ndonjëherë ndaj një aktori joshtetëror. Kjo strategji konsiston në shkatërrimin total të infrastrukturës civile, duke përfshirë objekte shëndetësore, arsimore, ujësjellës, energji dhe komunikim, me qëllim që të hiqet çdo bazë logjistike që mund të shfrytëzojë Hamasi për aktivitetet e tij ushtarake.

Në një periudhë prej 700 ditësh luftë, të dhënat tregojnë se mbi 60,000 ndërtesa janë rrënuar, përfshirë spitale, shkolla dhe qendra logjistike jetike. Kjo nuk ka prodhuar vetëm një shkatërrim fizik, por ka krijuar një kolaps total të strukturës shoqërore në Gaza.

Nga pikëpamja ushtarake, objektivi ka qenë dobësimi i Hamasit, por në fakt kjo strategji ka çuar në përshpejtimin e cikleve të radikalizimit. Krahasuar me praktikat e vendeve të tjera, si SHBA në Vietnam apo Bashkimi Sovjetik në Afganistan, një përfundim shfaqet i qartë: shkatërrimi masiv pa rindërtim nuk garanton siguri afatgjatë.

Përgatitjet Shumëvjeçare Ushtarake dhe Ekspansioni Rajonal

Izraeli është një nga fuqitë më të avancuara ushtarake në botë, me miliarda investime në teknologjinë e mbrojtjes. Sistemet si Iron Dome apo Arrow 3 tregojnë arkitekturën e mbrojtjes multidimensionale. Por që nga tetori 2023, doktrina “lufta parandaluese” është përqafuar si instrument i shtrirjes rajonale.

Në qershor 2025, përplasja 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit – me shkëmbim masiv raketash dhe sulme kibernetike – u konsiderua momenti më i rrezikshëm global pas krizës së raketave në Kubë. Ky episod dëshmoi se Gaza është preludi i një konflikti më të madh ku përplaset teknologjia, energjia dhe gjeopolitika.

Politikat e Brendshme dhe Problematika e Pengjeve

Çështja e pengjeve mbetet e mprehtë. Hamas ka përdorur pengjet si kartë politike dhe propagandistike; ndërsa qeveria izraelite mbetet në dilemë mes shkatërrimit të Hamasit dhe realitetit se asnjë strukturë tjetër palestineze nuk garanton kontroll afatgjatë në Gaza.

Ngjarjet e shtatorit 2025 – sulmi ndaj qytetarëve në Jerusalem dhe urdhri i Netanyahut për evakuim masiv nga Gaza – shtuan më tej tragjedinë humanitare.

“Këta vrasës e forcojnë vendosmërinë tonë për të luftuar terrorizmin,” – Netanyahu, 8 shtator 2025.

Përshkallëzimi Rajonal dhe Rreziku Botëror.

Përfshirja e Hezbollahut, sulmet kibernetike nga Irani dhe tensionet me Turqinë e Katarin e kanë shpënë konfliktin shumë përtej Gazës.

Në këtë periudhë, një përplasje e re diplomatike eksplodoi midis kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Erdogani ka mbështetur hapur aspiratat palestineze për Jerusalemin Lindor, ndërsa Netanyahu iu kundërpërgjigj me një deklaratë të fortë nga vetë Jerusalemi:

“Epo, ne jemi këtu. Kjo është qyteti ynë. Zoti Erdogan, nuk është qyteti juaj. Është qyteti ynë. Do të jetë gjithmonë qyteti ynë. Nuk do të ndahet më kurrë.” – Netanyahu, 16 shtator 2025.

Kjo deklaratë pritet të ashpërsojë marrëdhëniet izraelito-turke, duke mobilizuar botën islame përkundër Izraelit dhe duke e bërë Jerusalemin edhe një herë nyjen qendrore të përplasjes gjeopolitike.

Sulmet jashtë Gazës dhe Ndikimet Rajonale: Rasti i Katarit.

Sulmi izraelit në Doha, i drejtuar kundër udhëheqësve të Hamasit, thelloi polarizimin diplomatik. Katari e quajti “shkelje flagrante të sovranitetit”, ndërsa bota islame reagoi me një front të përbashkët.
Presidenti Erdogan i cilësoi veprimet e Izraelit si “banditizëm shtetëror” dhe paralajmëroi:
“Bota islame ka kapacitetet e nevojshme për të zmbrapsur ambiciet ekspansioniste të Izraelit.” – Erdogan, Doha 2025.
Ky reagim dëshmon se sulmet izraelite jashtë Gazës nuk janë thjesht operacione ushtarake, por katalizatorë të një izolimi diplomatik në rritje.

Pasojat Humanitare dhe Reagimet Ndërkombëtare

Raportet flasin për mbi 40,000 viktima civile, zhvendosje masive dhe kolaps të plotë shëndetësor e social. Amnesty International dhe HRW e akuzojnë Izraelin për shkelje të ligjit humanitar.
Presioni ndërkombëtar është rritur më shumë pas deklaratave të Netanyahut dhe reagimeve të Erdoganit, të cilat e polarizojnë më tej klimën diplomatike. Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara kërkojnë korridore humanitare dhe armëpushim të menjëhershëm.

Përfundim

Konflikti midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë, i shoqëruar me zhvillimet e fundit në Doha dhe polemikat për statusin e Jerusalemit, dëshmon se fuqia ushtarake e njëanshme nuk zgjidh krizën historike. Përkundrazi, strategjitë pa dimension humanitar kanë prodhuar cikle të reja radikalizimi dhe izolim diplomatik.
• Strategjia izraelite e “tokës së djegur” nuk garanton siguri, por thellon vakumin politik dhe radikalizimin.
• Konflikti tashmë ka marrë dimension rajonal: Turqia, Katari dhe bota islame po koordinohen për presion diplomatik e ekonomik ndaj Izraelit.
• Pasojat humanitare janë katastrofale dhe përbëjnë sfidë për tërë komunitetin ndërkombëtar.
• Vetëm kombinimi i masave humanitare, diplomatike dhe institucionale mund të nxjerrë Lindjen e Mesme nga cikli i përhershëm i dhunës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat