Pjesëmarrja e shqiptarëve në APJ: Shërbim pa barazi, ushtri pa multietnicitet

Analizë

Pjesëmarrja e shqiptarëve në APJ: Shërbim pa barazi, ushtri pa multietnicitet

Nga: Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major Më: 22 dhjetor 2025 Në ora: 12:10
Pjesëmarrja e shqiptarëve në APJ: Shërbim pa barazi, ushtri pa multietnicitet

Historia e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ/JNA) është një histori që, edhe sot, mbetet e pashpjeguar mjaftueshëm në diskursin publik ballkanik. Ajo paraqitet shpesh si dëshmi e “bashkëjetesës multietnike” të ish-Jugosllavisë, por në realitet flet për një përfshirje formale, të kufizuar dhe të kushtëzuar politikisht. Si dikush që e ka studiuar këtë çështje në mënyrë akademike dhe profesionale, e konsideroj të domosdoshme që kjo temë të trajtohet edhe si reflektim personal, sepse pas statistikave fshihen fate njerëzore dhe pasoja historike.

Shqiptarët, kryesisht nga Kosova, Maqedonia e atëhershme dhe Mali i Zi, ishin subjekt i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në APJ, njësoj si të gjitha kombësitë e tjera të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në aspektin formal, ligji nuk bënte dallim. Por ushtria nuk është vetëm ligj; ajo është praktikë, besim dhe hierarki pushteti. Pikërisht aty shqiptarët hasën kufijtë e padukshëm të një sistemi që i shihte si të dyshimtë.

Gjatë viteve ’70 dhe ’80, pavarësisht se shqiptarët përbënin një përqindje të konsiderueshme të popullsisë federative, përfaqësimi i tyre në korpusin e oficerëve dhe veçanërisht në rangjet e larta ishte simbolik. Të dhënat tregojnë se rreth vitit 1980, shqiptarët përbënin pak më shumë se 5% të gjeneralëve, ndërkohë që mbi 50% e tyre ishin serbë. Kjo pabarazi nuk ishte rastësi, por rezultat i një politike të qëllimshme selektimi dhe kontrolli.

Në praktikë, shqiptarët rrallë avanconin në pozita komanduese, përjashtoheshin nga shërbimet e ndjeshme ushtarake dhe mbaheshin nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga Kundërzbulimi Ushtarak (KOS). Pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, ky mosbesim institucional u shndërrua në politikë të hapur sigurie: shqiptari në uniformë u perceptua jo si mbrojtës i federatës, por si “element politikisht i pasigurt”.

APJ, e ndërtuar mbi mitin e “vëllazërim-bashkimit”, u shndërrua gradualisht në instrument politik të Beogradit. Në vend që të ishte një ushtri reale federative dhe multietnike, ajo u përdor për ruajtjen e status quo-së dhe për shtypjen e kërkesave politike shqiptare, veçanërisht autonomisë së Kosovës. Ky transformim ndikoi drejtpërdrejt në alienimin e shqiptarëve nga institucioni ushtarak dhe në humbjen e çdo ndjenje identifikimi me të.

Pasojat e kësaj qasjeje ishin afatgjata dhe të rënda. Humbja e besimit në institucionet federative, radikalizimi gradual i kërkesave politike dhe kalimi nga shërbimi i detyruar drejt rezistencës politike e më pas të armatosur nuk ndodhën në vakum. Ato ishin rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi që kërkonte bindje, por nuk ofronte barazi. Në këtë kuptim, formimi i UÇK-së në vitet ’90 nuk mund të kuptohet pa u kthyer pas dhe pa analizuar përvojën e shqiptarëve në APJ.

Si përfundim personal, por i mbështetur në të dhëna shkencore, mund të them se pjesëmarrja e shqiptarëve në APJ ishte më shumë formale sesa substanciale. Ata shërbyen si ushtarë të thjeshtë të një ushtrie që, në momentet vendimtare historike, veproi kundër interesave të tyre kombëtare dhe politike. Dështimi i APJ-së për të ndërtuar një multietnicitet real nuk ishte vetëm problem ushtarak, por një nga faktorët që kontribuoi në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sot, kur flasim për siguri, ushtri profesionale dhe integrim euroatlantik në Ballkan, kjo histori duhet të shërbejë si mësim. Ushtritë që nuk reflektojnë barazinë etnike dhe besimin qytetar nuk janë faktor stabiliteti, por burim konflikti të ardhshëm. Prandaj, hapja e arkivave, studimet orale dhe ballafaqimi i sinqertë me të kaluarën nuk janë luks akademik, por domosdoshmëri shoqërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat