Shtatë shtete në edicionin e 28-të të Turneut të Boksit “Adem Jashari”

Boksi

Shtatë shtete në edicionin e 28-të të Turneut të Boksit “Adem Jashari”

Më: 4 nëntor 2026 Në ora: 14:39
Fotoilustrim

Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të 28-të të Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Adem Jashari”, i cili do të zhvillohet më 7 dhe 8 nëntor 2026, me pjesëmarrjen e boksierëve nga disa shtete evropiane.

Sipas njoftimit të Federatës së Boksit të Kosovës, në këtë edicion pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Spanja.

Kosova do të përfaqësohet me boksierët e saj më të mirë, në mesin e të cilëve është Bashkim Bajoku, çerekfinalist i Kampionatit Evropian në kategorinë deri në 55 kilogramë. Pjesë e ekipit pritet të jenë edhe Shpëtim Bajoku (70 kg), Lumturim Xhoxhaj (60 kg), Zenel Hasani (65 kg) dhe boksierë të tjerë.

Garat do të zhvillohen në të dhjetë kategoritë zyrtare të peshave për meshkuj dhe në kategorinë deri në 51 kilogramë për femra. Pjesëmarrësit do t'i përkasin grupmoshës elitë, ndërsa turneu do të shërbejë edhe si mundësi për përgatitjen e boksierëve drejt ciklit të kualifikimeve olimpike, që zhvillohet gjatë vitit 2027.

Aktivitetet do të nisin më 6 nëntor me mbërritjen e delegacioneve, mbledhjen teknike dhe shortin zyrtar. Ndërkaq, më 7 dhe 8 nëntor do të zhvillohen garat, pas peshimit dhe kontrollit mjekësor të garuesve.

Edicioni i kaluar i këtij turneu u mbajt më 15 dhe 16 nëntor 2025 në Prishtinë, ndërsa medaljet e arta u fituan nga përfaqësues të Kosovës, Sllovakisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Turneu Ndërkombëtar i Boksit “Adem Jashari” organizohet nga Federata e Boksit e Kosovës dhe mban emrin e heroit kombëtar, në nderim të figurës dhe sakrificës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat