Ish-kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, ka shprehur shqetësimet e tij për organizimin e edicionit të fundit të turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”.
Selimi vlerëson se ky turne meriton një organizim më të mirë dhe standarde më të larta, në përputhje me nivelin dhe rëndësinë ndërkombëtare të tij.
Ai tha se është për keqardhje rënia e nivelit të organizimit të këtij turneu të madh, i cili dikur kishte jehonë të madhe dhe rëndësi të veçantë në arenën e boksit.
Dikur shumë shtete
Një tjetër çështje që e shqetëson Selimin është edhe ndryshimi i datës së mbajtjes së turneut.
Sipas tij, ky aktivitet duhet të organizohet në periudhën kur shënohet ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e jo në fillim të muajit, siç është vepruar në edicionet e fundit.
Dikur shumë tifozë
Ai konsideron se ruajtja e datës tradicionale është pjesë e rëndësisë dhe identitetit të këtij turneu, i cili mban emrin e figurës historike Adem Jashari.
“Mbi ndryshimin e traditës dhe rënien e nivelit të organizimit të turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”
Dikur
Turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari” është një nga aktivitetet sportive me rëndësi të veçantë në historinë e sportit kosovar. Ky turne nuk përfaqëson vetëm një garë ndërkombëtare boksi, por edhe një simbol të respektit ndaj figurës së Kryekomandantit Adem Jashari dhe ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Unë si ish president i FBOXK-së dhe ish kryetar i Këshillit Organizativ disa vite rresht, sugjeroj që datat e mbajtjes së turneut të kthehen në fundjavën e fundit të muajit nëntor, siç ka qenë në vitet e para të organizimit, në përputhje me simbolikën e festave të Nëntorit dhe në nderim të tri ngjarjeve madhore:
28 Nëntor 1955 – Ditëlindja e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
28 Nëntor 1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
28 Nëntor 1912 – Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e Flamurit Kombëtar në Vlorë.
Kjo traditë nuk ishte e rastësishme. Ajo kishte një domethënie të qartë historike dhe kombëtare.
Fillimisht, turneu organizohej në Prishtinë, ndërsa më vonë finalet u zhvilluan edhe në qendrat e tjera të Kosovës, si në: Ferizaj, Gjilan, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë. Kjo bëhej mbi një parim të rëndësishëm: Adem Jashari nuk i takon vetëm një regjioni, por tërë Kosovës dhe kombit shqiptar”, thotë Selimi.
Ish kryetari i federatës kujton kohërat e arta të këtij turneut, kur tubonte mbi 3 kijë shikues në palestra sportive.
“Ku mbeti organizimi i dikurshëm?
Është e pamohueshme se në edicionet e mëhershme ky turne kishte një jehonë shumë më të madhe sportive, mediatike dhe institucionale dhe shpesh herë ishte ngjarja ma e madhe sportive në vend.
Në atë kohë, në turne merrnin pjesë deri në 15 shtete, ndërsa sallat sportive mbusheshin me dashamirë të boksit.
Në ceremonitë hapëse, çdo herë ishin të pranishëm familja Jashari, ndërsa organizimi pasurohej me pjesëmarrjen e ansambleve shtetërore, shoqërive kulturore-artistike dhe personaliteteve të njohura të kulturës, artit dhe muzikës shqiptare.
Këto aktivitete nuk ishin thjesht elemente ceremoniale. Ato kishin për qëllim që, krahas sportit, t'u prezantonin delegacioneve të huaja kulturën, traditat dhe identitetin tonë kombëtar.
Po ashtu, për çdo edicion organizoheshin së paku tri konferenca për shtyp, me pjesëmarrjen e gazetarëve dhe mediave televizive, përmes të cilave opinioni publik informohej për përgatitjet, pjesëmarrjen e shteteve dhe rëndësinë e këtij aktiviteti.
Sot, me të drejtë duhet të pyesim: Ku mbeti kjo traditë? Ku mbeti interesimi ndërkombëtar, masiviteti i publikut dhe serioziteti organizativ?”, tha Selimi.
Ajo që i dhemb në shpirt Selimit është edhe mungesa e kujdesit për fotografinë e Kryekomandantit Legjendar, Adem Jashari, e cila është e vendosur para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
“Një tjetër çështje që meriton vëmendje është gjendja e fotografisë së Kryekomandantit Legjendar Adem Jashari, e vendosur para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Dikur kujdeseshim që kjo fotografi të rinovohej dhe të mbahej në gjendje të mirë. Sot, ajo ka mbetur e ekspozuar ndaj reshjeve atmosferike dhe kushteve të jashtme, pa përkujdesjen e nevojshme që nga viti 2018.
Kjo fotografi është vendosur në rrethana shumë të veçanta. Dihet historia e vendosjes së saj para Pallatit dhe pronare e kësaj fotografie është Federata e Boksit e Kosovës.
A nuk është kjo një dëshmi tjetër e mungesës së kujdesit të Federatës ndaj simboleve që duhet të nderohen?
Ky reagim nuk ka për qëllim të mohojë punën e askujt. Megjithatë, është punuar në Federatë, por qëllimi është të tërhiqet vëmendja ndaj një tradite që nuk duhet të humbasë.
Federata e Boksit të Kosovës ka përgjegjësi të veçantë për ta ruajtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi. Emri i Adem Jasharit kërkon organizim dinjitoz, seriozitet, përfaqësim ndërkombëtar dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Ndryshimi i datave, rënia e pjesëmarrjes ndërkombëtare dhe dobësimi i traditës organizative janë çështje që meritojnë shpjegim dhe reflektim nga Federata.
Adem Jashari nuk është vetëm një emër në titullin e një turneu. Ai është një figurë e historisë sonë kombëtare, të cilën duhet ta nderojmë me vepra, përgjegjësi dhe përkushtim”, ka nënvizuar Selimi.
Më tej, Selimi theksoi se boksi meriton të ecë përpara dhe të zhvillohet, e jo të mbetet në vendnumëro: “Boksi i Kosovës meriton të ecë përpara, duke respektuar historinë dhe traditën e vet!
Nuk po kërkoj të kthehemi në të kaluarën. Po kërkoj që e ardhmja e boksit të jetë më e mirë se e kaluara!
Turneu “Adem Jashari” duhet ta rikthejë traditën, nivelin dhe dinjitetin që kishte dikur. Kjo është përgjegjësi institucionale dhe detyrim ndaj historisë sportive e kombëtare.
Ja si ishte dikur organizimi i Turneut të Boksit “ADEM JASHARI”".