Rinor Ramizi: Ndeshjet fitohen gjatë përgatitjeve, në ring shkon vetëm për të korrur atë që ke mbjellë

Boksi

Rinor Ramizi: Ndeshjet fitohen gjatë përgatitjeve, në ring shkon vetëm për të korrur atë që ke mbjellë

Më: 10 nëntor 2026 Në ora: 19:28
Mirhad Babic, Rinor Ramizi

Rinor, pas katër muajsh përgatitjesh intensive, çfarë ndjeve në momentin kur kundërshtari ra në dysheme dhe Mirhadi u shpall kampion bote?

“Të jem plotësisht i sinqertë? Në momentin e parë ndjeva një gëzim të jashtëzakonshëm. Por vetëm pak sekonda më vonë, dëshiroja që kundërshtari të ngrihej edhe një herë.

Doja që Mirhadi të kishte mundësinë të tregonte edhe më shumë nga ajo që kishim përgatitur gjatë këtyre katër muajve. Madje, do të kisha dashur ta shihja duke realizuar edhe një goditje spektakolare me gju në kërcim drejt kokës.

Nuk ishte se fitorja nuk më mjaftonte, por e dija sa shumë kishte ende për të treguar Mirhadi.”

Mirhad Babic hyri në ring jo vetëm me flamurin boshnjak, por edhe me flamurin shqiptar, në shenjë respekti ndaj teje dhe popullit shqiptar. Çfarë domethënie kishte ky gjest për ty?

“Me këtë gjest, Mirhadi më nderoi jashtëzakonisht shumë, jo vetëm mua personalisht, por edhe gjithë popullin shqiptar.

Në sportet luftarake, hyrja në ring është një moment shumë personal për çdo luftëtar. Është momenti i tij, kur ai përfaqëson identitetin, prejardhjen dhe gjithçka për të cilën lufton. Fakti që Mirhadi vendosi ta ndajë këtë moment edhe me mua dhe me flamurin tim kombëtar, ka një vlerë të veçantë për mua.

Ai më kishte treguar para ndeshjes për dëshirën e tij. Unë i thashë se nuk kishte asnjë detyrim ta bënte këtë dhe se nuk ishte diçka që e prisja prej tij. Por ai këmbënguli, sepse ishte dëshira e tij personale.

Pikërisht kjo e bën gjestin edhe më domethënës. Ishte një shprehje e sinqertë respekti dhe nderimi, të cilën nuk do ta harroj.”

Katër muaj përgatitje intensive, përgjegjësi e madhe dhe një kundërshtar me 120 ndeshje profesioniste. A pate ndonjëherë dyshime se mund ta fitonit këtë titull botëror?

“Dyshimi ndoshta nuk është fjala e duhur. Si trajner, mbi supet e mia mbaj një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jo vetëm për luftëtarin tim, por edhe për klubin, ekipin dhe të gjithë njerëzit që qëndrojnë pas nesh dhe besojnë tek ne.

Natyrisht që mendon edhe për skenarët negativë, për gjithçka që mund të shkojë keq. Por pikërisht këtu fillon roli im i vërtetë si trajner.

Duhet të njohësh në detaje pikat e forta dhe dobësitë e luftëtarit tënd, të punosh mbi to dhe njëkohësisht të analizosh kundërshtarin për të ndërtuar strategjinë e duhur.

Sa më shumë punon, analizon dhe përgatitesh, aq më pak hapësirë mbetet për pasiguri. Kështu i largon dyshimet, jo me fjalë, por me punë dhe përgatitje.

Dhe mund të them se sa më shumë i afroheshim mbrëmjes së ndeshjes, aq më i bindur bëhesha se titullin botëror do ta fitonim ne.”

Mirhadi është 40 vjeç, ka kaluar disa operacione, vite larg ringut dhe shumë vështirësi. Çfarë të ka impresionuar më së shumti tek ai gjatë këtyre katër muajve të përgatitjes?

“Unë dhe Mirhadi i përkasim ende shkollës së vjetër. Ne e dimë shumë mirë se ndeshjet fitohen gjatë përgatitjeve. Në ring shkon vetëm për të korrur atë që ke mbjellë.

Ajo që më ka impresionuar më së shumti tek ai ka qenë disiplina dhe ambicia e tij e jashtëzakonshme.

Në moshën 40-vjeçare, pas kaq shumë vitesh pauzë, operacionesh dhe pengesash, të rikthehesh dhe të përballosh fizikisht një përgatitje të këtij niveli nuk është aspak e zakonshme.

Ai nuk kërkoi rrugë të shkurtra dhe as trajtim të veçantë për shkak të moshës. E pranoi punën që duhej bërë dhe e realizoi me përkushtim.

Për mua, kjo është ajo që e dallon një luftëtar të vërtetë. Jo vetëm ajo që tregon në ring para publikut, por mbi të gjitha ajo që është i gatshëm të bëjë kur askush nuk e sheh.”

Mirhad Babic: “Nuk e zgjodha rastësisht Rinor Ramizin për ndeshjen time të fundit”

Mirhad, në moshën 40-vjeçare, pas disa operacioneve dhe një pauze të gjatë nga garat, e përmbylle karrierën me një nokaut spektakolar në raundin e parë dhe me titullin e kampionit të botës. Çfarë ndjeve në momentin kur kuptove se ia kishe arritur qëllimit?

“Të jem i sinqertë, në momentin e parë isha në gjendje shoku. Në të njëjtën kohë, ndjeva një gëzim të jashtëzakonshëm që është vështirë të përshkruhet me fjalë.”

Përveç flamurit boshnjak, gjatë hyrjes në ring mbajte edhe flamurin shqiptar, në shenjë respekti ndaj trajnerit tënd, Rinor Ramizi, dhe popullit shqiptar. Çfarë të shtyu ta bëje këtë gjest të veçantë?

“Para së gjithash, ishte një shenjë mirënjohjeje dhe respekti ndaj trajnerit tim, Rinor Ramizi, dhe bashkëkombësve të tij.

Një nga gjërat më të bukura të jetës në Zvicër është se rritemi së bashku me njerëz nga kombe dhe kultura të ndryshme.

Edhe unë jam rritur mes shqiptarëve dhe kam krijuar miqësi të forta me ta. Kam shumë dashuri për miqtë e mi shqiptarë.

Prandaj, mbajtja e flamurit kuqezi në atë natë të veçantë ishte një gjest që më erdhi natyrshëm dhe nga zemra.”

Çfarë e bën Rinor Ramizin një trajner të veçantë dhe sa ndikoi ai në përgatitjen tënde dhe në fitimin e titullit botëror?

“Për mua, Rinor Ramizi është një trajner i nivelit shumë të lartë.”/BS

Image
Mirhad Babic, Rinor Ramizi
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat