Ish-kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, përmes një shkrimi të gjatë në profilin e tij në Facebook, ka kujtuar se 14 Nëntori shënon një datë historike për boksin e Kosovës.
Selimi, i cili për 17 vjet ishte në krye të Federatës së Boksit të Kosovës, ka rikujtuar se më 14 nëntor, para 12 vjetësh, nën drejtimin e tij, Federata u pranua në mekanizmat më të lartë të boksit ndërkombëtar.
“14 nëntor 2014 - ditë historike për boksin e Kosovës
Një mesazh rikujtues për udhëheqjen aktuale të Federatës së Boksit të Kosovës.
Sot, më 14 nëntor, dua t'ia rikujtoj udhëheqjes aktuale të Federatës së Boksit të Kosovës një datë me rëndësi të veçantë në historinë e institucionit që sot ajo e drejton.
Kam përshtypjen se kjo ditë dhe kjo arritje historike nuk po merr vëmendjen dhe përkujtimin që meriton. Prandaj, si pjesëmarrës dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i kësaj ngjarjeje, ndiej përgjegjësi ta rikujtoj publikisht këtë moment, në mënyrë që të mos mbetet në harresë.
Historia e një institucioni sportiv nuk fillon me udhëheqjet e sotme. Ajo është ndërtuar ndër vite, përmes angazhimit, përpjekjeve dhe kontributit të shumë njerëzve. Arritjet e së kaluarës duhet të ruhen, të vlerësohen dhe të përcillen te brezat e rinj.
Për këtë arsye, propozoj që 14 Nëntori të përkujtohet çdo vit si një datë e veçantë historike për boksin e Kosovës, pse jo, edhe përmes një aktiviteti sportiv apo turneu përkujtimor.
Më poshtë po sjell kujtimin dhe dëshminë time për atë që ndodhi më 14 nëntor 2014, në Jeju të Koresë së Jugut.
Dita kur Federata e Boksit e Kosovës fitoi të drejtën e përfaqësimit dhe të votës në familjen ndërkombëtare të boksit në AIBA
Në atë datë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të AIBA-s, të mbajtur në Jeju të Koresë së Jugut, Federata e Boksit e Kosovës u pranua me të drejta të plota, përfshirë edhe të drejtën e votës.
Në atë ngjarje historike pata nderin të jem i pranishëm, së bashku me ish-presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani. Kësaj radhe udhëtimi ynë drejt Koresë së Jugut ishte më i qetë dhe pa brengat që kishim përjetuar më herët, sepse tashmë kishim arsye të forta për të besuar në suksesin e përfaqësimit tonë.
Pse ishim kaq të sigurt?
Sepse ky proces kishte marrë një drejtim të qartë dy vite më parë. Më 9 korrik 2012, Komiteti Ekzekutiv i AIBA-s kishte marrë vendim për pranimin e Federatës së Boksit të Kosovës në këtë organizatë, fillimisht pa të drejtë vote, deri në Kongresin e radhës. Prandaj, pjesëmarrja jonë në Asamblenë e vitit 2014 ishte një hap i rëndësishëm drejt përmbylljes së këtij procesi.
Në ditën e dytë të Asamblesë, pikërisht në pikën e tretë të rendit të ditës, u shqyrtua çështja e pranimit të Federatës së Boksit të Kosovës me të drejta të plota.
Vendimi u votua nga delegatët e pranishëm dhe rezultati ishte historik: të gjithë votuan pro, me përjashtim të një abstenimi, nga përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, i cili ishte i nacionalitetit serb.
Me këtë vendim, Federata e Boksit e Kosovës u pranua me të drejta të plota në AIBA.
Ishte një moment i veçantë dhe emocionues. Për herë të parë, më 14 nëntor 2014, përfaqësuesi i Federatës së Boksit të Kosovës ushtroi të drejtën e votës në Asamblenë e Përgjithshme të AIBA-s.
Ky nuk ishte thjesht një vendim sportiv. Ishte një arritje e rëndësishme për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, një dëshmi se edhe përmes sportit mund të afirmohej shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i vendit tonë.
Nuk duhet t'i harrojmë arritjet që na kanë sjellë deri këtu. Përkundrazi, duhet t'i ruajmë, t'i dokumentojmë dhe t'ua përcjellim brezave të rinj.
Kjo datë meriton të kujtohet!”, ka shkruar Selimi.