Ish - kampioni i botës në boks, venezueliani Jorge Linares, ka përfunduar në mbajtjen e Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Kontrollit të Doganave (ICE), në qytetin El Paso të Teksasit. Atij i kanoset deportimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“ICE më mban në El Paso të Teksasit. Çfarë situate e çmendur!”, ka shkruar 41-vjeçari Linares në rrjetin social X.
Sipas CNN-it, boksieri është arrestuar në aeroportin e El Pasos.
Një zëdhënës i ICE-së deklaroi se Linares kishte hyrë në SHBA me leje për qëndrim të përkohshëm, por kishte qëndruar në vend përtej afatit të lejuar.
“Ai do të qëndrojë në mbajtjen e ICE-së deri në fillimin e procedurave të deportimit”, deklaroi zëdhënësi.
Megjithatë, avokatët e tij nga zyra ligjore Wilner & O’Reilly pretendojnë se Linares ka autorizim të vlefshëm për të qëndruar në SHBA.
Avokatët: Procedurat janë në zhvillim
“Jemi në komunikim me ICE-në dhe po punojmë që këtë çështje ta zgjidhim sa më shpejt që të jetë e mundur. Çështjet e imigracionit ndjekin procedura të përcaktuara, të cilat kërkojnë kohë”, deklaruan avokatët.
Ata shtuan se Linares ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet amerikane të imigracionit.
Në mbështetje të tij doli edhe presidenti i Shoqatës Botërore të Boksit (WBA), Gilberto J. Mendoza.
“Mund të konfirmoj se miku im Jorge Linares, ish-kampion i botës në WBA, ndodhet në mbajtjen e ICE-së. Si president i WBA-së, gjithmonë do t'i mbështes kampionët tanë, brenda dhe jashtë ringut. Qëndro i fortë, Jorge!”, deklaroi Mendoza.
Linares, i cili jeton në Miami, ka qenë kampion i botës në tri kategori të peshave: pendël, superpendël dhe të lehta.
Gjatë karrierës së tij profesionale, e cila zgjati më shumë se 20 vjet, zhvilloi 56 meçe dhe regjistroi 47 fitore e nëntë humbje. Karrierën e përfundoi në vitin 2023.