Kroati Marko Martinjak u nokautua në rikthimin e tij në ring, në ngjarjen BKB 61 në Londër. Matty Askin e mposhti në raundin e dytë dhe ia mori titullin e kategorisë bridger në boksin pa doreza (deri në 102 kg).
Për Martinjakun kjo ishte ndeshja e parë pas incidentit që ndodhi në fund të muajit maj, në një turne të futbollit të vogël.
Sipas mediumit kroat “Index”, në fund të raundit të parë, Askin e dërgoi Martinjakun në nokdaun me një goditje të majtë uppercut.
Gjyqtari numëroi deri në nëntë për boksierin kroat, por ai arriti të ngrihej dhe ta vazhdonte meçin.
Megjithatë, në raundin e dytë, Askin e rrëzoi përsëri me një goditje të majtë. Martinjaku këtë herë nuk u ngrit më dhe gjyqtari e ndërpreu meçin, ndërsa anglezi e fitoi titullin.
Martinjak u paraqit për herë të parë në ring pas incidentit që ndodhi më 31 maj, në turneun e futbollit të vogël Goat League në Zagreb. Gjatë ndeshjes finale, pas një konflikti verbal, Martinjak e goditi me kokë futbollistin Tomisllav Mrkonjiq, i cili ra në tokë, ndërsa më pas ia gjuajti topin në shpinë.
Mrkonjiq pësoi thyerje të eshtrave të hundës, një çarje në vetull, hematomë në ballë dhe tendosje të muskujve të qafës. Pas incidentit, Martinjak kaloi një muaj në paraburgim.
Në tetor, ndaj Martinjakut u ngrit aktakuzë për tentim të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.
Prokuroria propozoi dënim prej dy vjetësh burgim pa kusht, si dhe trajtim të detyrueshëm psikosocial.
Gjatë marrjes në pyetje, Martinjak pretendoi se nuk kishte pasur qëllim ta lëndonte Mrkonjiqin, por se përplasja e kokave kishte ndodhur pasi futbollisti i ishte afruar dhe i ishte futur në fytyrë. Ai shprehu keqardhje për incidentin dhe deklaroi se të dy më vonë i kishin kërkuar falje njëri-tjetrit.