Ish-kampioni i botës në kategorinë e rëndë në versionin WBC, Deontay Wilder, ka mësuar emrin e kundërshtarit të ri për meçin që do të zhvillohet më 11 dhjetor, në kuadër të mbrëmjes së madhe të boksit Fury – Joshua, në stadiumin “Principality” në Cardiff të Uellsit.
Bëhet fjalë për boksierin kongolez Martin Bakole, i cili fillimisht ishte paraparë të përballej me një kundërshtar tjetër në të njëjtën mbrëmje.
Wilder (45-4-1, 43 me nokaut), fillimisht ishte caktuar të boksonte kundër kampionit të pamposhtur të peshës kruzer, Jai Opetaia (31-0, 24 nokautime), nga Australia. Ky do të ishte meçi i parë i Opetaias në kategorinë e rëndë.
Megjithatë, javën e kaluar australiani njoftoi se kishte pësuar një lëndim në dorë gjatë stërvitjes me sparing dhe u detyrua të tërhiqej nga përballja.
Me më pak se tri javë deri në ngjarje, organizatorët u detyruan të gjenin një zgjidhje të shpejtë për të plotësuar vendin e mbetur bosh.
Bakole (21-2-1, 16 nokaut) do të përballet me Wilderin në një duel mes dy boksierëve me gjatësi rreth 1.98 metra dhe me fuqi të madhe goditëse.
“Nuk dua të zbuloj detaje të tjera për momentin, por sapo ta mposht atë, do të keni përballë kampionin e ri të botës në peshën e rëndë. Martin, po vijmë! Të falënderoj që e pranove këtë mundësi.
Le t’u dhurojmë tifozëve, le t’u japim njerëzve diçka për të cilën do të flasin për gjithë jetën“, ta Wilder.