Luftëtari brazilian i arteve marciale mikse (MMA), Junior Dias, është arrestuar në Sao Paulo nën dyshimin se ka vrarë me thikë qenin e tij.
Dias, i cili garon në kategorinë “Flyweight” (pesha mizë), pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi qeni kishte sulmuar atë dhe bashkëshorten e tij.
Ai është liruar për t'u mbrojtur në liri, por gjatë kohës që vazhdojnë hetimet, gjykata i ka ndaluar kontaktin me kafshët, raporton “SPORTbible”.
Raporti i policisë dhe dëshmitë e fqinjëve
Sipas mediave lokale, policia u njoftua nga fqinjët, të cilët kishin raportuar për keqtrajtim të mundshëm të kafshëve në shtëpinë e sportistit.
Një fqinje deklaroi se për rreth dy javë kishte dëgjuar ulërima dhe vajtime nga kafshët në banesën e Diasit. Ajo dyshonte se ato nuk kishin ushqim dhe ujë të mjaftueshëm.
Sipas dëshmisë së saj, një ditë para ngordhjes së qenit kishte gjetur një kafshë të lidhur për qafe, me lëndime në trup dhe pa strehim të përshtatshëm.
Kur policia mbërriti në banesën e tij, në lagjen Jardim Aeroporto, zbuloi se qeni ishte vrarë me thikë dhe se pjesë të trupit të tij ishin vendosur në një valixhe.
Në shtëpi u gjetën edhe një qen tjetër, gjashtë mace dhe disa zogj. Të gjitha kafshët u morën nën kujdesin e shërbimeve për mbrojtjen e kafshëve.
Çfarë deklaroi luftëtari para policisë?
Në dëshminë e tij, Junior Dias pretendoi se qeni kishte sulmuar bashkëshorten e tij një ditë më parë, duke i shkaktuar thyerjen e krahut.
Ai deklaroi se mëngjesin e ditës tjetër, teksa po ushqenin kafshët, qeni i kishte sulmuar sërish.
Sipas versionit të tij, ai tentoi ta kontrollonte kafshën, por u kafshua në duar, fytyrë dhe në zonën e brinjëve.
Dias pretendoi se bashkëshortja i kishte dhënë një thikë, me të cilën ai e vrau qenin, duke deklaruar se veproi për të shpëtuar jetën e tij dhe të bashkëshortes.
Pas ngjarjes, të dy kërkuan ndihmë mjekësore.
Gjykatësi që vendosi lirimin e tij për t'u mbrojtur në liri vlerësoi se fotografitë e paraqitura nuk dëshmonin keqtrajtim të kafshëve.