Kulmi i diktaturës: Irani ekzekuton gazetarin për nxitje të protestave më 2017

Bota

Kulmi i diktaturës: Irani ekzekuton gazetarin për nxitje të protestave më 2017

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 09:39
Ruhollah Zam

Irani e ka ekzekutuar gazetarin që e fajësonte për nxitjen e protestave masive kundër krizës ekonomike në vitin 2017, një vit pasi i ikuri në ekzil ishte kapur nga Rojat Revolucionare.

Televizioni shtetëror iranian dhe agjencia shtetërore e lajmeve, IRNA, thanë se gazetari 47 vjeç, Ruhollah Zam, është ekzekutuar me varje të shtunën në mëngjes, pa dhënë hollësi të tjera.

Në qershor të këtij viti, gazetari Zam u dënua me vdekje nën akuzën për të ashtuquajturin korrupsion mbi Tokën, që është akuzë shumë e rëndë dhe përdoret shpesh nga autoritetet iraniane në rastet e spiunazhit ose në rastet e përpjekjeve për rrëzimin e qeverisë.

Gazetari i dënuar kishte shpërndarë oraret e protestave dhe të dhëna turpëruese për zyrtarët përmes një faqe të internetit dhe një kanali që e kishte krijuar në aplikacionin e popullarizuar të shkëmbimit të mesazheve, Telegram.

Protestat që kishin nisur në fund të vitit 2017 ishin sfida më e madhe për pushtetin në Iran që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 dhe e përgatitën terrenin për kryengritje të ngjashme masive në nëntor të vitit të kaluar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Motivi fillestar i protestuesve më 2017 ishte rritja e papritur e çmimit të ushqimeve. Megjithatë, me përhapjen e protestave nga qyteti në qytet, ato shpejt u kthyen në kryengritje kundër tërë klasës politike.

Në videot e shpërndara nga gazetari i dënuar dëgjoheshin thirrje kundër presidentit Hassan Rouhani dhe madje edhe kundër liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Në kanalin e tij ofroheshin edhe oraret dhe hollësitë organizative të protestave.

Zam, i cili kishte thënë se ka ikur nga Irani pasi është akuzuar në mënyrë të rreme për bashkëpunim me shërbimet e huaja të inteligjencës, kishte mohuar se ka nxitur dhunë. Në protestat e vitit 2017 ishin vrarë pesë persona dhe rreth 5.000 ishin arrestuar.

Në tetor të vitit të kaluar, Rojat Revolucionare thanë se e kanë zënë gazetarin Zam, të cilit i ishte ofruar azil në Francë dhe kishte jetuar për një kohë në Paris. Franca e ka kritikuar dënimin me vdekje për gazetarin dhe e ka quajtur goditje serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit në Iran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat