Pas 66 vitesh e mitura e përdhunuar siciliane merr funeralin e mohuar nga kisha

Bota

Pas 66 vitesh e mitura e përdhunuar siciliane merr funeralin e mohuar nga kisha

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 08:47
Lucia Mantione

Kisha katolike i kishte mohuar funeralin një vajze 13-vjeçare të përdhunuar e të vrarë në 1955, prej rregullave arkaike kishtare.

Nuk kishte pasur asnjëherë kaq shumë njerëz në një funeral në Montedoro, fshati i mbetur prapa në kohë mes fushave të gurit dhe minierave të sulfurit në qendër të Siçilisë, shkruan britanikja The Guardian.

Rreth 1,500 banorët e tij prisnin prej më shumë se gjysmë shekulli momentin e lutjeve solemne rreth arkivolit të vogël të bardhë.

Brenda tij janë mbetjet e Lucia Mantione, vajza 13-vjeçare e sulmuar dhe e vrarë mizorisht në 1955, të cilës Kisha i kishte ndaluar funeralin sipas parimeve fanatike të vdekjes se dhunshme.

“Kjo është dita e ringritjes së Lucias dhe e vetë Montedoro,” thotë Rosa Alba, 73 vjeçare, e cila e njihte Lucian kur ishte fëmijë dhe ka luftuar për të bindur kishën të njihte gabimin e saj për të lejuar funeralin.

Ishte një mbrëmje e ftohtë në 6 Janarin e 1955 kur Lucia, e njohur dhe si Luciedda, doli nga shtëpia për të blerë një kuqi shkrepëse. Kur ajo nuk po kthehej, nëna doli ta kërkonte për orë të tëra, duke e thirrur nëpër rrugë e nëpër rrethinat.

“Mbaj mend atë ditë si dje,” thotë Alba. “Në një sekondë të gjithë në qytezë mësuan që Lucia kishte humbur, ishim të tmerruar.”

Lucia nuk u kthye kurrë. Trupi i saj u gjet më 9 janar, në një fermë rreth 1km larg Montedoro. Autopsia konfirmoi se ajo ishte mbytur teksa luftonte sulmuesin. Atë mbrëmje, babai i saj, minator sulfuri, trokiti në derën e priftit vendas Don Vito Alfano, për organizimet e funeralit të Lucia. Por prifti refuzoi duke cituar rregullin katolik që thoshte se u ndalohej funerali atyre që vdisnin nga një “vdekje e dhunshme”.

“Ishte një parim i vjetër që përdorej për njerëzit që kryenin vetëvrasje,” thotë At Francesco Stabile, profesor teologjie në Universitetin e Palermo. “Por disa priftërinj e aplikonin për të gjithë ata që vdisnin nga vdekje e dhunshme. Arsyeja absurde për këtë, ishte se nëse të vret dikush, me siguri ke bërë diçka të gabuar”.

Fillimisht hetimet për vrasjen u fokusuan në një të moshuar me të shkuar kriminale, por dyshimi ishte se vrasësi i Lucias ishte një aristokrat që në vitet e pas-luftës, kishte mbështetjen e Mafias.

Lucia-s iu bë një varrim modest në varrezat e Montedoro. Autoritetet e mbyllën historinë e vdekje së vajzës por fshatarët nuk e harruan kurrë.

“Historia e Lucias u kalua gjeneratë pas gjenerate,” thotë Renzo Bufalino, kryebashkiaku 40 vjeçar i Montedoro. “Kur ishim të vegjël na çonin në varrin e Lucias për të vënë lule të freskëta. Kujtimi i saj nuk u shua kurrë, edhe për ata që nuk e kishin njohur”.

Pas përpjekjeve të banorëve, kohët e fundit prokurorët në Caltanissetta pranuan rihapjen e çështjes, duke bërë zhvarrosjen e trupit të Lucias për marrjen e ADN-së së mundshme të vrasësit.

Kjo shtyu banorët e Montedoro të shtonin presionin ndaj Kishës për lejimin e një funerali të plotë të vajzës fatkeqe.

E para që vuri duart në arkivolin e Lucias ishte Maria Lucia Mantione, mbesa 64-vjeçare e viktimës dhe një nga të afërmit e saj të paktë të mbetur. Megjithse nuk e njihte ajo erdhi për funeralin nga qyteti Treviso në veri të Italisë.

“Më në fund je këtu e dashur hallë,” thotë Maria e përlotur mbi arkivolin e vajzës. “Nuk e besoja se do të kisha gjetur.”

“Babai im ishte vëllai i Lucias, ka vuajtur shumë,” thotë ajo. “Për arsye të kësaj dhimbjeje ata emigruan në veri. Çdo ditë, derisa vdiqën ata flisnin për të”.

Qindra njerëz prisnin për funeralin e Lucias së vogël, të cilin e sollën nga kisha Maria dhe tre gra të tjera.

Lajmi ishte në faqet e para të gazetave në Itali dhe është kthyer në simbol të përpjekjes për drejtësi dhe kundër ekstremizmit fetar, e gjithashtu një moment ndërgjegjësimi për dhunën ndaj grave e fëmijëve.

“Sot në Montedoro, në kujtojmë jo vetëm Lucian, por të gjitha viktimat e femicidit në Itali,” thotë Bufalino. “Të gjitha gratë që janë përdhunuar e abuzuar. Të gjitha gratë si Lucia, thirrjet e të cilave për drejtësi kanë kaluar pa u dëgjuar për shumë kohë”. /tch/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat